Foto: koshere bletësh në çatinë e ndërtesës së operas, Paris
Rritja e bletëve është një mundësi sigurimi të ardhurash jo vetëm në fshat por dhe në qytet.
Kosheret e bletëve mund të vendosen në çatitë e shtëpive, pallateve; në oborret e shtëpive private, madje dhe në ballkon. Bletët e sigurojnë nektarin dhe polenin nga bimët e qytetit: pemët në trotuare, parqe; nga bimët zbukuruese në lulishte etj. Kujdesi ndaj bletës kërkon pak kohë gjatë vitit ndërkohë që një koshere moderne bletësh siguron mesatarisht 20 kg mjalt në vit.
Bletaria urbane është duke u përhapur në shumë shtete të botës. Shembujt janë të shumtë: Shtëpia e Bardhë, Bashkia e Çikagos, pallati i vjetër i Operas në Paris janë disa nga ndërtesat e dëgjuara ku ka koshere bletësh.
Në disa qytete si Londër, Toronto, Teksas etj. janë krijuar shoqata bletarësh urbanë të cilat promovojnë interesat e anëtarëve të tyre.
Bletët e rritura në qytete kanë disa avantazhe ndaj bletëve rurale: ato ushqehen me nektarin dhe polenin e një shumëllojshmërie lulesh dhe janë më pak të ekspozuara ndaj pesticideve. Prandaj jo rrallë ndodh që prodhimtaria e një koshereje në qytet të jetë edhe më e lartë se e një koshereje në fshat. Gjithashtu sëmundja e sindromit të kolapsit të kolonisë e përhapur së fundmi në bletë dhe që ka shkaktuar rënie drastike të numrit të bletëve në zonat rurale në Europë e më tej duket se prek më pak kolonitë e bletëve në qytete.
Veçoritë e bletarisë urbanë ndaj asaj rurale:
- Bletët zakonisht fluturojnë në vijë të drejtë drejt zgjoit, prandaj në zona të populluara përpara zgjoit duhet të ketë një gardh a mur rreth 2 m, që njerëzit mos të gjinden në rrugën e fluturimit të bletëve.
- Nëse kosheret do të mbahen në tarracë nuk ka interes të mbahen më lart se në katin e 6-të.
- Që roitë natyrale që mund të shkëputen nga kolonia të mos bezdisin fqinjët, pranë kosheres mirë është të mbahen si karem koshere të vjetra bosh.
- Bleta e gjen ushqimin në një rreze ~2 km rreth kosheres, prandaj duhet patur parasysh shkalla e gjelbërimit të qytetit në këtë rreze kur vendoset të mbahen koshere bletësh. Qytetet kanë shumëllojshmëi bimësh, kapaciteti i të cilave për nektar dhe pjalm ndryshon. Nga bimët mjaltëse dhe pjalmdhënëse që gjenden dhe në qytete përmendim: akacia (një familje blete mund të mbledhë deri në 8 kg mjalt nga një dru i rritur akacieje), gështenja (një ha me gështenja jep deri në 30-120 kg mjalt, gjithashtu ka shumë pjalm dhe i forcon bletët); tërfili (një ha me tërfil jep ~50 kg mjalt); jonxha (një ha i vaditur=220-270 kg mjalt; 1 ha i pavaditur=25-30 kg); mimoza (pjalmdhënëse), shelgu (mjaltdhënëse dhe pjalmëse); plepi (pjalmdhënëse), pisha (pjalmdhënëse); ligustra (pjalmdhënëse, pak nektar) etj.
Foto: Bima mjaltëse facelia
Facelia mund të jetë me shumë interes të mbillet në kuadër të bujqësisë urbane sepse ndryshe nga pemët frutore dhe perimet pak mundësi ka të përvetësohet nga të panjohur.
Nëse dëshironi të rrisni bletë mund t’ju vijë në ndihmë forumi i parë shqiptar mbi bletarinë, nënforumi mbi bletarinë, si dhe libri “Bleta” i Doc. Qenan Nuri.
Në anglisht ka shumë libra për rritjen e bletëve. Mund të lexoni:
- librin “On the honey and honey bee” të Langstrothit, ku tregohet rritja e bletëve në kosheren e tipit Langstroth;
- librin “Beekeeping for all” të Abbe Warre, ku tregohet rritja e bletëve në kosheren prej druri pa korniza;
- si dhe librin “The handy book of bees”, të Pettigrew A., ku tregohet si rriten bletët në kosha.
Rritja e bletëve në kosha
Në vijim mund të gjeni një informacion të përgjithshëm mbi bletët dhe rritjen e saj sipas metodës së vjetër, në koshere prej koshi. Unë personalisht nuk mbaj bletë, informacioni është mbledhur nga libra, video, artikuj interneti, biseda etj..
Familja e bletës
Në foto: nga e majta në të djathtë: bleta punëtore, bleta mashkull, bleta mëmë
Bleta jeton vetëm në familje. Çdo familje përbëhet nga disa dhjetra mijëra bletë punëtore,disa qindra ose mijra meshkuj dhe nga një mëmë (mbretëreshë). Asnjë bletë nuk mund të jetojë jashtë familjes.
Bleta mbretëreshë është e vetmja bletë e familjes që mund të pjellë. Bletët punëtore kryejnë gjithë punët e nevojshme për jetën e kolonisë: mbledhin nektarin, polenin, ndërtojnë hojet, freskojnë/ngrohin/pastrojnë kosheren etj. Bletët punëtore jetojnë vetëm disa javë në verë dhe deri në disa muaj në dimër.
Bletë mashkull në koshere ka qindra deri në mijra në verë kurse në vjeshtë dhe dimër nuk ka, sepse vriten nga bletët punëtore. Këta shërbejnë vetëm për pllenimin e bletës mëmë dhe nuk ndihmojnë në punët e kolonisë.
Kolonia e bletës jeton në vende të mbrojtura nga kushtet atmosferike. Kolonia e egër strehohet në të çara shkëmbi, në zgavrën e një peme etj. Ajo është një grumbull bletësh me diametër ~30 cm, e tkurrur në dimër por vëllimi i së cilës rritet në verë për së gjati. Prandaj shpesh zgjojet e bletëve kanë formë cilindrike ose të afërt me formë cilindrike, me diametër të brendshëm ~30 cm.
Bleta krijon në folenë e saj një klimë me temperaturë të qendrueshme, ajo e ngroh folenë në dimër dhe e freskon në verë.
Hojet bleta i fikson në majën e folesë dhe në muret anësore, kurse në pjesën e poshtme këto varen të lira.
Foto: Koloni e egër bletësh. Fletët e varura janë hoje.
Në qelizat e hojeve bletët depozitojnë mjaltin dhe larvat: zakonisht qelizat me mjalt janë në pjesën e sipërme të zgjoit kurse qelizat me larva janë në pjesën e poshtme të zgjoit.
Foto: Qeliza me vezë blete
Foto: Qeliza me bletë krizalidë
Jeta e bletëve gjatë vitit:
Gjatë vitit në jetën e kolonisë së bletës ka dy periudha kryesore: periudha e veprimtarisë aktive kur familja mbledh dhe përpunon ushqimin, krijon rezervat, shumohet (pranverë,verë) dhe periudha e qetësisë (vjeshtë,dimër) kur bleta nuk shumohet, nuk mbledh nektar/polen dhe jeton me rezervat ushqimore të grumbulluara gjatë periudhës aktive.
Në zonën e ulët në Shqipëri mëmat e fillojnë pjelljen nga mezi i janarit-fillimi i shkurtit. Në 3-4 javët e para të periudhës aktive bletët e vjetra të dala nga dimri ngordhin dhe zëvendësohen me të reja. Me ngrohjen e kohës dhe me shtimin e nektarit/pjalmit të sjellë në zgjua mëmat e shtojnë pjelljen derisa në muajin maj-qershor pjellin deri në 2000 vezë në 24 orë.
Në prill-maj, kurse në malësi në maj-qershor ndodh fenomeni i roitjes (shtimit) të kolonisë. Mëma e vjetër largohet nga zgjoi së bashku me një pjesë të bletëve punëtore dhe disa meshkuj për të krijuar familje më vete.
Libri “Bleta” e përshkruan kështu roitjen natyrale të bletëve “Në ditën e daljes së roit, që në mëngjez, në zgjua vihet re një gjallëri jo e zakonshme. Bletët, pa ndonjë rregull të caktuar, shkojnë sa para mbrapa nëpër verandën e zgjoit, nëpër muret e tij, fluturojnë dhe pas pak kthehen përsëri në zgjua. Pastaj midis orëve 10-14 bletët dalin rreshta-rreshta nga zgjoi duke fluturuar rreth e qark tij me një zhurmë karakteristike që është krejt e ndryshme nga zhurma e zakonshme e bletëve në park. Roi i parë mblidhet zakonisht në ndonjë vend rreth parkut të bletëve, mbi ndonjë degë peme etj.E gjithë miza varet njëra pas tjetrës në formën e një vile rrushi. Roi i mbledhur në ndonjë dege peme po të futet në ndonjë zgjua dhe ky zgjua të vendoset në çfarëdo vendi, qoftë edhe afër zgjoit nga ka dalë, bletët mësohen shpejt të hyjnë dhe të dalin në vendin e ri dhe nuk kthehen më në zgjuan e vjetër. Duhet patur kujdes që roi i mbledhur në degën e pemës ose në ndonjë vend tjetër, të hidhet menjëherë në zgjua, ndryshe pas pak kohe, ai fluturon përsëri dhe s’dihet ku mblidhet.
Kur bleta përgatitet për roitje, ajo krijon disa qeliza mëmash.2-3 ditë pas daljes së roit të parë, në zgjuan që roiti del mëma e re, e cila pasi forcohet fillon të kontrollojë të gjtha hojet, për të gjetur qelizat e mëmave, të cilat përpiqet ti grisë, duke vrarë në to mëmat, qofshin këto në fazën e nimfës ose të insektit të rritur. Në qoftë se familjes së bletës i ka kaluar ethja e roitjes, bletët nuk e pengojnë mëmën ti vrasë ato, por përkundrazi marrin pjesë edhe vetë në zhdukjen e tyre. Në rast se në familje ethja e roitjes vazhdon, bletët nuk e lejojnë mëmën, që ti shkatërrojë qelizat e mëmave, por përgatiten të lëshojnë roin e dytë. Roi i dytë del gjithmonë me mëmën e re të pafekonduar. Kur koha është e mvrejtur, me shi dhe pengon daljen e tij për disa ditë me rradhë, me këtë roi mund të fluturojnë njëkohësisht disa mëma së bashku, të cilat dalin prej qelizave në çastin e daljes së roit. Pasi mblidhen në ndonjë vend (degë peme etj.), bletët mbysin mëmat e tepërta dhe lënë vetëm një.”
Kosherja mund të lëshojë dhe roi të tretë, katërt ose të pestë. Pas ndërprerjes së ethes së roitjes bletët grisin qelizat e mëmave; mëma e re e mbetur në zgjua pasi arrin pjekurinë seksuale fekondohet dhe fillon të pjellë vezë.
Foto: Roi natyrale
Informacion për sjelljen e bletës mund të lexoni dhe në http://sq.wikipedia.org/wiki/Bleta.
Kosheret
Kosheret e përdorura për rritjen e bletës zakonisht ndërtohen me materiale termoizoluese si dërrasë, baltë, thupra & kashtë, plastikë etj.
Foto: Park bletwsh me koshere koshi
Bletaria në kosha është praktikuar gjerësisht në mesjetë dhe praktikohet ende në Hollandë, Poloni, vende të Afrikës etj.
Në Shqipëri në vitin 1938 kishte 48,299 koshere nga të cilat vetëm 480 ishin moderne, pjesa tjetër ishin koshere primitive si kosha, trungje etj.
Bletarët europianë i rrisin bletët pothuajse vetëm në koshere moderne prej druri, me korniza të lëvizshme (si Langstroth) ose jo (si kosherja Warre). Kosheret e koshit duke qenë me kosto më të ulët investimi dhe mirëmbajtjeje duken më të përshtatshme për tu përdorur nga familjet e varfra ose në kohë krize kur gjetja e pajisjeve dhe materialeve është më e vështirë. Vështirësia kryesore në përdorimin e tyre në Shqipëri është që aktualisht, me sa kam dijeni, nuk prodhohen të tilla.
Kosheret kosh (primitive) shpesh bëhen prej prej thupre/kashte dhe në formë cilindrike për disa arësye:
- Materiali i thuprës/kashtës është termoizolues, mban ngrohtë në dimër dhe freskët në verë.
- Kosheret në formë cilindrike e ruajnë më mirë ngrohtësinë në dimër. Kosherja mund të bëhet më me lehtësi cilindrike kur është prej kashte.
- Në të kaluarën thupra ishte material ndërtimi që gjendej me bollëk dhe punohej lehtë.
Videot më poshtë tregojnë punën në një fermë bletësh me koshere prej koshi:
Heathland Beekeeping – 1 – Spring Work in a Heather Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 2 – Preparations for the Swarming Period in a Heather Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 3 – Work in a Heather Skep Apiary during the Prime Swarming Period
Heathland Beekeeping – 4 – Work in a Heather Skep Apiary during the Cast Swarming Period
Heathland Beekeeping – 5 – Summer Work during the Heather Blossom in a Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 6 – Autumn Work in a Heather Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 7 – Harvest of Heather Honey in a Skep Apiary
Si ndërtohet kosherja prej koshi
Këtu mund të shikoni një mënyrë të thurjes së kosheres prej koshi. Kurse këtu mund të lexoni shpjegime të hollësishme mbi thurjen e koshereve prej thupre të stilit anglez.
Në foto: Një model koshereje prej koshi, siç bëhet në Gjermani
Kosherja zakonisht ka diametër ~30 cm, vëllim ~30 litra. Në majë mund të jetë e sheshtë ose konike. Kur maja është e sheshtë kosherja mund të qëndrojë në këmbë dhe me kokë poshtë, kjo lehtëson përdorimin gjatë transportit dhe kur mblidhen roi. Hyrja e bletëve në koshere mund të bëhet në pjesën e sipërme, që kosheres të mund ti vihet korpus shtesë kur familja e bletës zgjerohet shumë. Hyrja mund të bëhet dhe anash. Hyrja bëhet me përmasa 10 cm*2.5 cm. Ose nuk bëhet hyrje, por në dërrasën ku do mbështetet kosherja bëhet një kanal për hyrjen e bletëve.
Kosheres i kalohen 4-6 shufra horizontalisht, 2-3 lart, 2-3 më poshtë. Këto shërbejnë për fiksimin më të mirë të hojeve. Shufrat e poshtme kalohen të paktën 10 cm mbi buzën e kosheres, sepse nëse janë shumë poshtë bletët mund të mos ti ndërtojnë hojet rreth saj.
Bletët i përdorin hapësirat midis shufrave dhe hojeve për të shkurtuar rrugë brenda zgjoit.
Hoji orientues
Që bletët ti ndërtojnë hojet pingul me shufrat fiksuese, në tavanin e koshit ngulet një copë hoj i vjetër, ~5 cm*5 cm. Copa e hojit ngjitet pas një dërrase dhe bashkë ngulen me gozhdë në tavanin e kosheres.
Platforma e ndenjes dhe ajo e fluturimit: Kosherja vihet mbi një dërrasë që është të paktën 3 cm më e gjerë se kosherja.
Foto: Duke mbledhur roi (koloni blete në kërkim strehe të re) me koshere kosh. Kosherja kosh në foto ka 4 shufra hekuri, 2 lart, dy më poshtë, të cilat ndihmojnë në fiksimin e hojeve.
Kosheret duhen mbrojtur nga dielli në verë sepse nga nxehtësia e madhe u shkrin dylli, si dhe nga shiu, si në dimër dhe në verë.
Në librin e vjetër “Handy book of bees” autori tregon se në parkun e tyre përdornin lesh të dërstiluar për të veshur kosheret dhe ruajtur nga shiu, kuse për ti ruajtur nga nxehtësia midis këtij dhe kosheres shtonin kashtë e cila është termoizoluese e mirë.
Foto: Koshere koshi me dy korpuse. Kjo bën të mundur që kolonia e bletëve të mos shkatërrohet gjatë mbledhjes së mjaltit.
Foto: Koshere koshi e lyer me bajga lope, rërë dhe hi. Një koshere e tillë dekorative gjendet dhe në një dyqan bletësh në sheshin 21 Dhjetori, Tiranë.
Në vendet e nxehta për ti mbrojtur nga të nxehtit kosheret e koshit i mbulojnë me një shtresë të trashë kashte. Ose, në një version koshereje, bëhen dy kosha njëri më i vogël se tjetri, ku më i vogli futet brenda më të madhit dhe hapësira bosh midis tyre mbushet me kashtë, pastaj koshat lyhen me përzierjen bajga lope-baltë argjile për të mbyllur vrimat.
Kosherja lyhet me bajga lope të përziera me baltë dhe kashtë të copëtuar për te pasur termoizolim më të mirë, për mbrojtje më të mirë nga moti i keq si dhe për ta mbrojtur kashtën nga brejtësit, qukapikë etj.
Foto: Koshere bletësh prej thupre në strehë
Foto: strehe kashte mbi koshere koshi. Shërben për mbrojtjen nga shiu
Kosheret primitive bëhen dhe prej balte, rrogozi të mbledhur etj.
Foto: koshere bletësh prej balte
Koshat vihen mbi platforma që të mbahen larg lagështirës së tokës. Platformat zakonisht bëhen prej druri, sepse guri i mban ftohtë bletët. Një kosh tipikisht mban 6-8 hoje.
Veglat e punës për përdorimin e kosheres:
Kapelja me strehë dhe tyli (maska): Kjo shërben për të ruajtur fytyrën nga pickimet e bletëve. Në pjesën e përparme të një kapele me strehë të gjerë kapet fort pëlhurë tyli. Tyli anash qepet pas një bezeje të bardhë, e cila nga ana e saj është qepur me strehën e kapeles dhe vjen në formë cilindri me fundin të pajisur me llastik ose spango.
Foto: Kapelja me strehë
Tymësja
Kjo shërben për qetësimin e bletëve gjatë punës me to. Mund të punohet dhe pa tymëse, kuptohet rrezikohen më shumë pickime. Që bletët të jenë sa më të qeta duhen shmangur lëvizjet e befta të kosheres si dhe personi që punon me bletët nuk duhet të mbajë erë (parfumi, djerse etj.).
Shumimi i bletëve
Ka dy mënyra kryesore të rritjes së bletëve për sa i përket roitjes: nxitja e roive dhe pengimi i tyre. Në bletarinë me kosha roitë nxiten dhe shfrytëzohen për shtimin e kolonive.
Në këtë lloj bletarie vetëm gjysma e koshereve lihen të dimërohen. Kolonitë e koshereve të tjera bashkohen me kolonitë e koshereve që lihen të dimërojnë, ose vriten duke i zhytur në ujë, ose duke i tymosur me squfur.
Në pranverë koshat bosh mbushen me roitë e koshave me koloni. Sipas një bletërritësi të kësaj metode nga të gjithë koshat prishen kolonitë më të lehta dhe ato më të rënda dhe lihen të dimërojnë kolonitë mesatare. Kolonitë e lehta vriten sepse mund të mos arrijnë të kapërcejnë dimrin për shkak të përmasave të vogla. Kolonitë e rënda vriten sepse mund të mos u mjaftojë mjalti gjatë dimrit, ose thjesht sepse mjalti i siguruar nga këto është më i madh.
Roitja artificiale
Libri i Pettigreë-s, i vitit 1870 e shpjegon kështu roitjen artificiale me kosheret prej koshi:
Nuk kemi interes të presim që bletët të fillojnë roitjen dhe as të humbasim roi. Praktikimi i roitjes artificiale na shpëton nga stresi i pritjes dhe nga humbja e roive.
Roitja artificiale bëhet shumë thjesht: Merrni një koshere me koloni gati për roitje, një koshere bosh dhe një koshere bosh dhe pa shufra, një pëlhurë.Koshat bosh vendosen disa metra larg koshit që do roitet. Kosherja plot tymoset, çohet në vendin ku janë kosheret bosh dhe kthehet përmbys. Kosherja bosh pa shufra vihet grykë më grykë me kosheren plot, vendi i bashkimit mbulohet me pëlhurë që mos të dalin bletët
Kosherja ku do të vendoset roi vihet në platformën e kosheres së vjetër që bletët në fluturim mos të shkojnë në kosheret e tjera. Fillimisht roi kalohet në kosheren pa shufra sepse në të mund të shikohet më lehtë mëma, pastaj roija kalohet në kosheren bosh me shufra.
-Fillojmë të trokasim me duar kosheren e vjetër për rreth 5 minuta. Bletët hutohen dhe largohen për në kosheren bosh. Në 19 nga 20 raste edhe mëma shkon me to. Që të jemi të sigurtë se dhe mëma është larguar e kthejmë koshin me roinë përmbys dhe kërkojmë me sy mëmën. Nëse e dallojmë e çojmë koshin me roinë në platformën e vjetër dhe e shkundim mbi kosheren bosh me shufra. Ndërkohë kosherja e vjetër është e mbuluar me pëlhurë.”
Si ta kuptojmë se kolonia është rritur dhe është gati për roitje?
Kur tymoset kosherja nëse bletët fluturojnë lart midis hojeve dhe kur ngrihet koshi ka vetëm pak bletë të mbetura në platformë, atëhere kolonia nuk është gati për roitje.
Kur kolonia është gati për roitje bletët kur tymosen largohen nga dera por jo sipër drejt hojeve sepse këto janë plot. Kur ngrihet koshi në platformë mbetet një unazë bletësh i trashë sa kyçi i dorës. Kjo unazë bletësh fillon të endet nëpër buzët e platformës dhe kur rivendosim koshin shumë bletë mbeten jashtë. Ky testim duhet bërë kur të gjitha bletët janë në shtëpi. Roitja zakonisht bëhet në maj-qershor.
Në roitje një pjesë e bletëve lihet me kosheren e vjetër, mjaftueshëm që të mbulojnë hollë hojet. Nëse shumë bletë largohen me roin disa lugë me bletë kthehen në kosheren e vjetër Nëse me roin janë larguar pakë bletë trokasim prapë kosheren e vjetër dhe bletët e larguara i bashkojmë me roinë.
Që bletët e roisë dhe ato të kolonisë së vjetër të mos përzihen me njëra-tjetrën kosherja e re dhe ajo e vjetër vendosen secila ~1.5 m larg platformës së vjetër, njëra në të majtë, tjetra në të djathtë.
Nëse kosheret janë më afër atëhere mund të pengohet kthimi i bletëve në kosheren e vjetër duke ndryshuar pamjen e kosheres së vjetër për 1-2 ditë pas roitjes. Në platformën e fluturimit mund të vendosen gurë a tulla të thyera për ti ndryshuar pamjen.
Nuk është e domosdoshme që të kërkohet mëma në roi pasi kemi bërë roitjen. Nëse mëma nuk ka ikur me roinë roija do të rikthehet në kosheren e vjetër brenda 1 ore. Shumë-shumë roitjen duhet ta riprovojmë. Rrallë ndodh që mbretëresha nuk largohet me roinë.
Kur bëhet roitja artificiale kosherja e vjetër mbetet pa bletë mëmë. Kur bletët e zbulojnë këtë dhe sigurohen se mëma nuk është më ato fillojnë të përgatisin qeliza mbretërore ku do të vendosen vezë të bletëve të thjeshta punëtore dhe nga do të dalin mëma. Shpesh bletët punëtore vetëm sa ndryshojnë përmasat dhe formën e qelizave të thjeshta dhe i kthejnë ato në qeliza mbretërore.
Bletët nuk dështojnë asnjëherë në rritjen e mbretëreshës nëse në kosheren e vjetër kanë mbetur mjaftueshëm bletë.
Inspektimi i hojeve në koshere koshi :
Nëse thjesht dëshironi të dini se sa mjalt ka koshi ky ngrihet dhe gjykohet pesha e tij.
Nëse është i rëndë por jo sa të mos e mbajmë dot atëhere depozitat e mjaltit në të mjaftojnë për të përballuar dimrin jo shumë të ashpër. Nëse është i lehtë atëhere bletët do të duhet të ushqehen artificialisht për të përballuar dimrin.
Për të inspektuar hojet me larva hoji mund të anohet pak dhe të shikohet.
Foto: Inspektimi i kosheres kosh
Nëse dyshohet për infeksion, hiqen shufrat, hoji pritet në krye dhe hiqet nga zgjoi. Pas inspektimit rikthehet në pozicionin ku ishte, rivendosen shufrat. Bletët e ringjisin hojin. Në vend të gjithë hojit mund të pritet dhe një cep i tij për inspektim. Për sëmundjet e bletëve mund të lexoni këtu.
Ushqyerja artificiale
Kolonia e bletës gjatë dimrit nuk ka kullotë dhe ushqehet me rezervat e mbledhura më parë. Mesatarisht ajo ka nevojë për 8-12 kg mjalt për të kaluar dimrin. Nëse rezervat nuk i mjaftojnë atëhere ushqehet me sherbet sheqeri. Për zgjuajt primitivë libri “Bleta” këshillon: “Për ushqimin e bletëve në zgjoj primitivë duhet të kemi kuti teneqeje të cekëta, që mbushen me sherbet dhe u vihet përsipër nga një dërrasë me brima, që të notojë, ku të qëndrojnë bletët. Kutia me ushqim vendoset ndën zgjuan primitiv, pasi atij i janë “qethur” më parë hojet.””Sherbeti i sheqerit që u jepet bletëve për plotësimin e rezervave ushqimore për dimër duhet të pregatitet nga dy pjesë sheqeri (për nga volumi) dhe një pjesë ujë, kjo bëhet që bletët të mos harxhojnë shumë energji për avullimin e tepricës së lagështirës.”
Produktet e bletëve:
Këtu mund të shikoni si bëhet heqja e hojeve nga koshat.
Libri “Bleta” e shpjegon kështu vjeljen e pjesshme të mjaltit pa vrarë bletët: Tymoset bleta në hyrje dhe koshi kthehet në brinjë që hojet të rrinë thikë, dhe që të mos shtypen bletët. Ndërkaq ajo tymoset lehtë nga njëra anë e trungut dhe me anë të thikës pritet hoji i anës me kujdes që të mos shtypen mizat. Kështu vazhdohet të pritet edhe hoji i dytë dhe në rast se ka akoma kullotë, atëhere mund të hiqet dhe një ose maksimumi dy hoje nga ana tjetër e koshit.
Hojet mblidhen pasi bletët të kenë vulosur qelizat e sipërme të hojeve së paku në ¼-1/5 e sipërfaqes së hojit. Nëse mjalti nuk është i vulosur ai ka shumë lagështirë dhe thartohet shpejt. Lagështira mund të largohet dhe në mënyrë artificiale duke e hedhur mjaltin në enë me grykë të gjera të cilat vendosen në vende të ajrosura dhe të mbrojtura nga bletët dhe insekte të tjera.
Mjalti në sasi të vogla mbahet në enë qelqi ose balte të llustruara nga brenda. Kurse për sasi të mëdha mjalti janë të mira fuçitë e drurit. Fuçitë e drurit që të mos pijnë shumë mjalt vishen nga brenda me një shtresë dylli. Nuk përdoret dru rrëshinoz sepse mjalti merr erën e rrëshirës.
Mjalti mund të konsumohet siç është në hoje, mund të
Foto: Mjalti në hoje
shtrydhet nga hojet duke e futur në pëlhurë dhe shtrydhur, ose, mund të presohet me presë. Ka mjalt kaq të trashë sa mund të nxirret vetëm duke e presuar. Ose thasi prej pëlhure i mbushur me copat e vogla të hojeve vihet mbi zjarr a në diell (në furrë me energji diellore?) dhe mjalti duke shkrirë rrjedh në enë.
Pëlhura pas shtrydhjes ose shkrirjes futet në ujë të nxehtë për të shkrirë mjaltin e ngelur në të dhe me tretësirën prodhohet vera e mjaltit. Vera zakonisht aromatizohej me erëza për të fshehur aromat e pakëndshme nga mbeturinat e hojeve.
Në copat e ngelura pas shtrydhjes ose shkrirjes së mjaltit ka dyll. Për të siguruar dyllin në kohët e vjetra thasi lidhej me gurë që të rëndohej, zhytej në enë me ujë. Kjo vihej në zjarr. Nga nxehtësia dylli shkrinte dhe dilte në sipërfaqe të ujit prej nga mblidhej në një thes me pëlhurë të rrallë ose në kullesë dhe lihej të rridhte në një enë tjetër. Thesi shërbente për të kulluar papastërtitë. Dylli mund të kullohet për një herë të dytë duke e vënë të ziejë në ujë dhe mbledhur prapë në thes pëlhure të rrallë.
Për shkrirjen e dyllit në stinën e ngrohtë mund të përdoret dhe furra me energji diellore (ndërtimin e së cilës e kemi përshkruar në një artikull tjetër) ose dyllëshkrirësja e përshkruar në librin “Bleta”: “Dyllëshkrirësja është një arkë dërrase e gjatë 65 cm, e gjërë 35 cm, me murin e përparmë 10 cm të lartë, të pasmin 35 cm. Përbrenda saj është vendosur një llamarinë e xinguar, e rrudhosur, fundi i së cilës bie mbi një kuti teneqeje. Nga sipër arka është e pajisur me një kornizë që ka dy xhama me distancë 10-12 mm njëri nga tjetri. Copërat e dyllit thërrmohen dhe vendosen mbi llamarinën. Dyllëshkrirsja vendoset në diell, rrezet e të cilit nëpërmjet xhamit shkrijnë copëzat e dyllit dhe dylli i shkrirë mblidhet në kutinë e teneqesë që ndodhet në fund të llamarinës. Gjatë ditës dyllëshkrirësja herë pas here rrotullohet në mënyrë që rrezet e diellit të bien perpendikular mbi xham.”
Një produkt tjetër i bletëve është propolisi, një substancë rrëshinore të cilën bletët e përdorin për të mbyllur boshllëqet e vogla në muret e kosheres. Propolisi ka veti antibakteriale prandaj përdoret në mjekësinë popullore kundër infeksioneve si psh. ato të lëkurës.
Burime të tjera:
http://www.beedata.com/data2/skeps.html
http://ag.udel.edu/enwc/faculty/dmcaron/Apiology/Chapter12.htm
http://www.reshafim.org.il/ad/egypt/timelines/topics/beekeeping.htm
http://teca.fao.org/es/read/7289
http://teca.fao.org/sites/default/files/technology_files/Construction%20of%20Kamara%20Basket%20Hive%20II.pdf
http://www.biobees.com/forum/viewtopic.php?t=4438
http://www.martinatnewton.com/page8.htm
http://en.wikipedia.org/wiki/Heath_beekeeping
http://ag.udel.edu/enwc/faculty/dmcaron/Apiology/Chapter12.htm
http://beesfordevelopment.org/portal/print.php?id=1280
http://homepage.mac.com/mreddygbr/skepFAQ/skepFAQv2.htm
http://books.google.com/books?id=qP3CF3bE5iwC&pg=PA10&lpg=PA10&dq=press+honey+cloth+bag&source=bl&ots=qZ4dttEGHG&sig=69OklP_sT9KoTB4fgo5OnFahV6k&hl=en&ei=m2WdTuSUNo7DtAbovNy9CQ&sa=X&oi=book_result&ct=result&resnum=3&ved=0CDcQ6AEwAg#v=onepage&q=press%20honey%20cloth%20bag&f=false
http://outdoorplace.org/beekeeping/history3.htm
http://groups.google.com/group/sci.agriculture.beekeeping/browse_thread/thread/7d730af1663adaf4/894853e8ebfe8476?q=skeps#894853e8ebfe8476
http://books.google.com/books?id=QGtBAAAAcAAJ&pg=PA131&lpg=PA131&dq=straw,+wood,+hive,+warm+climate&source=bl&ots=umwVC29MQ0&sig=rI9siIJpyRVM0uw-aEoeJcRrup4&hl=en&ei=-xahTpq4JozVsgbLmY2KAw&sa=X&oi=book_result&ct=result&resnum=1&ved=0CBkQ6AEwAA#v=onepage&q=straw%2C%20wood%2C%20hive%2C%20warm%20climate&f=false
Post a Comment