Gjahtari i Bletëve
“Gjahtari” i bletëve
Skënder Berisha nga Volljaku i Klinës thotë se “nga zori” e ka zgjedhur një punë të zorshme që të sigurojë ekzistencën për familjen e tij.
Duke jetuar nga ndihmat sociale në mungesë të një vendi pune, ai është shndërruar në një “gjahtar bletësh”, nëpër malet dhe shkëmbinjtë e rrethinës, në kërkim të bletëve që kryesisht jetojnë në male apo atyre që në mungesë përkujdesi ikin nga bletishtet e kultivuara.
“Para 13 vjetësh e nisa këtë punë. Derisa po i ruaja lopët e pashë që një grumbull bletëve u fut në një vrimë shkëmbi prej nga përmes tymit e nxora dhe e futa në kosheren time”, rrëfen ai.
Këtu ka zënë fill “profesioni” i tij i ri, në përpjekje të përmirësimit të standardit të jetës për familjen e tij. Berisha është baba i 9 fëmijëve.
“nëntë fëmijë m’i ka falë Zoti e veç me social jetoj, ja shtypin ende e kam të mbuluar me sellonit”, theksoi ai.
Gjahu pas bletëve tani thotë se i është shndëruar në pasion, i është “futur në gjak”.
“Tash ua kam mësua vendet se ku lëshohen bletët, por edhe ua punoj vet vendet, ua rregulloj paraprakisht”, thotë Berisha.
“Meraku i bletëve është të hynë nëpër gurë, i ndjekin vendet ka kullosat të mira, ku ka ujë, e ndjekin rrezen e diellit”, tregon ai orientimin e bletëve në kërkim të “shtëpisë së re” të tyre.
Por Berisha thotë se ato vendosen kryesisht në shkëmbinj të thellë e të rrezikshëm. “Ka vende edhe mbi 50 metra lartësi që më duhet të hip nëpër shkëmbinj, këmba shkon tuj e dridh”, rrëfen ai.
Në këtë punë thotë se e ka ndihmuar një miku u tij me një dhuratë që i kishte sjellë.
“Këto shkallë i kam që 10 vjet, m’i ka pru një mik prej Gjermanie bakshish, posaçërisht për bletë m’i ka pru, përpara e lshojsha me konop, po konopin e hante korrshi dhe o kan problem mu hedh në greminë. Kjo shkallë më ndihmon shumë, është e garantume, e ka sajllen në mes, janë grepat në të, i kap ata për lisi a për një hekur e ngul dhe lëshohem lirisht me to”, shpjegon Berisha duke i treguar shkallët metalike.
“Rrezikun më të madh e kisha kur para pak vjetësh për të nxjerrë një bletë nga shkëmbi hypa mbi 50 metra në këto shkallë dhe erdhi një helikopter i KFOR-it deri afër më përcillte çka po bëja. Duket se dyshonte se po fsheh armatim e ku ta dish çka. U afrua shumë afër meje dhe fuza e tij përpak sa nuk më rrëzoj, më luhatte fuqia e fuzës, më dridheshin këmbët nga frika dhe derisa e ka pa kosheren e bletës nuk u largu helikopteri”, rrëfen ai një rast të punës së tij të zakonshme.
“Ka ndodhë që e kam thyer dorën gjatë kësaj punë dhe kam pas lëndime të shpeshta nëpër këmbë”, shton ai. Punë nëpër shkëmbinj e male të ndryshme paraqet edhe rrezik nga gjallesat e tjera, kryesisht nga gjarprinjët. Sivjet, sipas tij, të birin 18 vjeçarë ia ka kafshuar gjarpri derisa po e ndihmonte atë në transportin e bletëve që thotë se duhet të bëhet kryesisht në erësirë.
“Pasi ra terri, ishim duke ardh dhe derisa lëshoheshin nëpër kërsha djali e ka qit doren në kërsh dhe po më thotë o babë o thera, duke menduar se i është futur ndonjë therë”, rrëfen ai.
“I thash jo, se në kërsh ska thera, po kur e ndeza shkrepësen i pashë gjurmët e dhembove të gjarprit”, shpjegon Berisha.
“Derisa e kam pru në shtëpi nga malet isha gati të çmendësha nga frika mos po më vdes djali, dora i enjteje shumë, por pasi e solla e dërguam me veturën e një fqinjë në spital dhe shpëtoi”, thotë ai duke bërë me dije se një ineksion për neutralizimin e helmit të gjarprit i ka kushtuar 100 euro dhe po aq per ilaqe të tjera.
“Kështu shkoj fitimi i bletëve që zura e edhe hyra borgj”, shprehet Berisha.
E veçanta e punës së Berishës me bletë që i gjenë në natyrë është se ai nuk përdor as një mjet mbrojtës nga ato, për kundër faktit se egzistojnë mjete të tilla.
“As një lloj maske për mbrojtje nga bletët nuk përdori dhe pothuaj as një herë s’më thumbojnë, ama edhe me më thumbue nuk i ndiej fare ato. Ndodh që kur është vapë e madhe të heq edhe këmishën nga trupi dhe të punoj me to pa asnjë problem”, rrëfen Berisha.
Ai ka bindjen se atë e duan bletët. “Më duan bletët shumë... Ka ndodhë që kam qenë duke kositur dhe ka ardhur grumbulli i bletës e mu ka lidhë në shpindë. Më ka zënë gjumi në mal dhe kur jamë rrotullu e kam pa tufen e bletëve të kapun në shpinë, e kam fut në koshere pa asnjë problem”, rrëfen Berisha.
“Bletët nëpër male hynë deri në 20 metra brenda shkëmbinjëve, ndërkaq unë me tymtore i nxjerrë nga aty, nëse e shoh bletën këtu unë ia marrë drejtimin kah po shkon dhe në atë drejtim pas tre kilometrash diku ndalet”, shpjegon ai.
Numrin më të madh të bletëve thotë se e zë nëpër shkëmbinj tek Ujëvarat e Mirushës dhe në disa shkëmbinj në afërsi të fshatit të tij. Bletarët e rrëthinës e njohin Berishën si furnizues të tyre dhe në kohen e lëshimit të bletëve tek ai për të marrë bletë shkojnë nga të gjitha anët edhe nga Shqipëria. Por Berisha thotë se nuk fiton shumë.
“Më paguajnë 20 deri në 30 euro për një bletë me sëndek të tyre, nganjëherë më japin 100 kilogramë miellë, por unë i furnizojë krejt bletarët e kësaj ane me bletë, ata shumë më duan në sezonin e lëshimit të bletëve”, shprehet Berisha.
Brenda një sezoni ai thotë se ia arrinë t’i zërë rreth 80 deri 90 shoqëri bletësh. Ai i fut ato në koshere klasikë ndërsa kush dëshiron t’i blejë ato nga Berisha duhet t’ia dërgojë atij sëndukun e ri dhe ta marrë bletën për 30 euro që është çmim krejt nën minimalen e vlerës së një blete.
Sivjet në oborin e tij i kishin mbetur edhe rreth 20 shoqëri bletësh pa shitur. Berisha nuk i kultivon vetë bletët, sepse thotë se nuk ka mundësi për shkak të shpenzimeve të mëdha që kërkojnë ato për mbajtje e trajtim, shkruan Koha Ditore.
Nuk nxjerrë as mjaltë nga ato që i zë maleve pasi thotë se fëmijët e tij nuk e hanë mjaltin dhe nuk dëshiron t’i dëmtoj bletët. Aktualisht thotë se i ka 7-8 bletë në shkëmbinjë të ndryshëm që i konsideron të tijat.
“I kam lënë për lëshim ato bletë dhe gjatë dimrit duhet të kujdesem për to”, thotë Berisha.
Nuk ka frikë se dikush mund t’ia marrë ato, ndonëse janë disa kilometra largë shtëpis së tij.
“As naleti nuk mund të hipë në ata kersha”, thotë ai me të qeshur.
Post a Comment