May 2017




Edhe pse qenit tuaj mund të jenë duke i rënë energjitë, me një trajtim veterinar të rregullt, kujdes të përditshëm dhe ushqim të përshtatshëm, qeni plak mundet ende të bëjë një jetë të lumtur e të shëndetshme.

Megjithatë, nuk mund ta injoroni faktin se gjendja fizike e tij do të ndryshojë me kalimin e viteve. Funksione të rëndësishme trupore, që zakonisht merren për të mirëqena, mund të nisin të shuhen pak e nga pak apo të mos funksionojnë më së miri.

Ashtu si edhe njerëzit, shqisat e tyre fillojnë të degradojnë duke çuar dobësim të shikimit, dëgjimit, shijimit dhe nuhatjes. Oreksi mund të bjerë dhe qentë shumë të vjetër zakonisht dobësohen duke bërë më të dukshme shtyllën kurrizore dhe brinjët.

Sa vjeç është qeni juaj?

Qentë shpesh janë më të vjetër seç ne mendojmë se janë, veçanërisht kur i kemi patur që këlysh e jemi mësuar me sjelljen e tyre energjike.

Qentë e vegjël jetojnë më gjatë, ndërkohë racat e mëdha kanë relativisht jetëgjatësi më të shkurtër (psh. një Great Dane, konsiderohet "i vjetër" në moshën 6 vjeç).

Përveç racës së qenit, faktorë të tjerë specifik të lidhur me stilin e jetesës si dieta, stërvitja dhe historiku shëndetësor, ndikojnë në jetëgjatësinë e qenve.



Shenjat e një qeni që po plaket

Mënyra më praktike për të thënë se një qen po plaket është duke vrojtuar sjelljen dhe pamjen e tij. Pra, më thjeshtë, për sa vjeç sillet, ngjan dhe ndihet qeni juaj?

• Niveli i energjisë fillon të bjerë

• Shenjat e dobësimit të gjymtyrëve fillojnë të bëhen më të dukshme dhe qentë kanë vështirësi të ngrihen në këmbë pas një kohë qëndruar ulur apo pas një shëtitjeje të gjatë.

• Lëkurë e trashë, më pak elastike

• Gëzof më i ashpër dhe i hollë me zona të zhveshura apo qime të zbardhura.

• Shurdhim, vihet re mos reagim ndaj komandave të ndryshme apo kur thirren në emër.

• Probleme me dhëmbët dhe mishin e tyre, shikoni për rënie të ushqimit nga goja apo pështymë të tepërt dhe goditje të gojës me putër. E ënjtura poshtë syve mund të jetë shenjë e qelbëzimit të ndonjë dhëmbi dhe kërkon trajtim nga veterineri.

• Mund të shfaqen lytha, gjëndra yndyre madje edhe tumore. Mbajini këto nën kontroll me veterinerin tuaj pasi zbulimi i hershëm i tyre mund të shpëtojë jetën e qenit tuaj.

• Etje e tepërt dhe urinim i shpeshtë apo i pakontrolluar.

• Hutim apo mosnjohje e ambientit përreth.

• Rënie oreksi.

• Depresion, mos bindje dhe me raste sjellje e dëmshme.

• Sy të mjegulluar me çehre të kaltër, të cilët janë normale dhe nuk pengojnë shikimin. Megjithatë, mjegullimi dhe rritja e katarakteve të bardha mund të çojë në verbim. veterineri mund t'ju ndihmojë të bëni diferencën.

• Një tendencë për të fjetur më shumë gjatë ditës e më pak gjatë natës. Disa qen mund të vërdallisen natën nëpër shtëpi si pasojë e dhimbjes së nyjeve, pleqërisë apo vetmisë.

• Shtimi në peshë – një problem i veçantë me qentë e rritur.

Do të vijë edhe dita kur të dalloni shenjat e para të plakjes së qenit tuaj, por kjo nuk do të thotë se tashmë ju duhet ta mbështillni atë me një batanije pambuku e të filloni të shqetësoheni. Thjesht do t'ju duhet të riorganizoni rutinën tuaj e të merrni disa masa sigurie.



Kujdesi i përshtatshëm mjekësor

Kontrollet e rregullta janë të detyrueshme për qentë e moshuar. Përveç vaksinimit vjetor dhe kontrolleve, flisni me veterinerin tuaj për ndonjë ekzaminim special për shkak të moshës. Gjithashtu, përpiquni të mbani parasysh ndonjë shenjë paralajmëruese dhe raportojeni tek veterineri.

Stërvitje e mirë

Obeziteti dhe artriti janë dy nga problemet më të zakonshme që ndeshen tek qentë e moshuar, prandaj një stërvitje e rregullt është shumë e rëndësishme. Megjithatë, nëse qeni juaj vuan nga artriti, konsultohuni me veterinerin përpara se të filloni një program stërvitjeje.

Rutina e përditshme

Një rutinë ditore e qëndrueshme është e rëndësishme për shëndetin fizik, mendor dhe emocional të qenit tuaj të moshuar, prandaj mundohuni t'i siguroni atij rehati dhe siguri.

Si pjesë të rutinës ditore, mund të planifikoni një seancë special krehjeje të paktën një herë në javë. Larja rregullisht e qenit tuaj përbën gjithashtu një fazë të rëndësishme, pasi kjo është një mundësi e mirë për t'i dhënë atij të gjithë dashurinë për të cilën ka nevojë.

Dhëmbë dhe mishra të shëndetshëm

Një kontroll dentar rutinë tek veterineri është shumë e rëndësishme, pasi qentë e moshuar janë më tepër pre e sëmundjeve të mishit të dhëmbëve dhe e qelbëzimit të tij. Gjithashtu një ide e mirë është që këtë kontroll ta ushtroni edhe ju tek qeni juaj rregullisht.

Mbështetje emocionale

Përpiquni të jeni të ndjeshëm ndaj asaj se çfarë po përjeton qeni juaj dhe të kuptoni se ai po i nënshtrohet një sërë ndryshimesh psikologjike. Kujdesi i përditshëm ndaj tij kërkon një durim pak më të madh nga ana juaj. Angazhimi dhe kujdesi juaj plot dashuri ndihmojnë shumë në krijimin e një cilësie të mirë jete për qenin tuaj në këto vite pleqërie.



Ushqimi për qentë e moshuar

Përveç sigurimit të kujdesit të rregullt veterinar, duhet të kuptoni edhe ndryshimet në nevojat ushqimore që ka tashmë qeni juaj. Në përgjithësi, qentë e moshës 7 vjeçare e më shumë fillojnë ta marrin jetën pak më lehtë e për pasojë nevojat e tyre ushqimore ndryshojnë. Ata janë më pak aktivë dhe kanë një metabolizëm të ngadaltë, prandaj kërkohen më pak kalori. Për të ndihmuar në mbajtjen e të gjithë trupit në formë, kërkohen protein të cilësisë së lartë dhe lehtësisht të tretshme.

Një dietë e mirë për qentë e moshuar duhet të përmbajë:

• Proteina të koncentruara, cilësore, pak të yndyrshme

• Karbohidrate lehtësisht të tretshme për sigurim energjie

• Mineralet kryesore për të mbështetur plakjen e nyjeve

• Vitamina, të cilat së bashku me proteinat ndihmojnë në luftimin e infeksioneve me të cilat mund të ndeshet trupi pasi sistemi imunitar dobësohet.

Ushqimet e prodhuara për qentë e moshuar janë të tillë që reflektojnë këto ndryshime në kërkesat e tyre ushqimore duke bërë të mundur që qeni juaj të mund t'i shijojë vaktet e plota pa u shqetësuar për abuzimet me ushqimin.

Duhet ta ushqeni qenin tuaj 1-2 herë në ditë, por mbase ai mund të preferojë të hajë vakte më të vogla e më shpesh. Kjo është më se normale, pasi është më e lehtë të tresësh disa vakte të vogla se sa 1-2 vakte të mëdha. /kafsheshtepiake/




Parazitёt ushqehen me gjakun e gjitarёve dhe pёr kёtё arsye ata janё shumё negativë pёr shёndetin e kafshёve tuaja, ja disa kёshilla se si mund t'i eleminoni kёta parazitё.

Ticks janё parazitё qё ushqehen me gjakun e gjitarёve, zvaranikёve dhe zogjёve. Kёta parazitё janё tё aftё tё shkaktojnё probleme serioze me shёndetin. Kёta parazitё zhvillohen nё plagё tё hapura. Pasi kaloni kohё me kafshёn tuaj shtёpiake jashtё, me kujdes ekzaminoje pёr kёta parazitё.

1. Vendosini dorezat plastike.

2. Kapeni parazitin me njё furҫё qё mund ta blini nё cdo dyqan kafshёsh. Me kujdes tёrhiqni parazitin nga trupi.

3. Mbusheni njё tas tё vogёl ose njё kavanoz me alkool. Hidheni parazitin nё solucionin e alkoolit dhe vriteni. Mos u pёrpiqni ta shtypni parazitin me duar se mund tё ҫlirojё bakterije tё rrezikshme.

4. Lajeni vendin e pickimit tё parazitit me ujё tё rrjedhshёm dhe me sapun.




Për të qenë të sigurt për shëndetin tuaj dhe atë të kafshës duhet që kafsha të lahet dhe pastrohet mirë.

Gjatë kohës që ju e lani duhet t’i flisni kafshës në mënyrë që të ai të ndjehet i mbrojtur dhe i sigurt.

Lavdërojeni atë madje edhe ekzagjerojeni, kur ai rri ashtu siç duhet.

Filloni duke hedhur pak ujë të ngrohtë në qafën e qenit në mënyrë që ai të mësohet me temperaturën (uji nuk duhet të tejkalojë temperaturën 38 °).

Aplikoni shampon duke u kujdesur që të mos prekë sytë dhe veshët në mënyrë që të shmangni çdo rrezik për infeksion, shkruan Telegrafi.

Mos harroni disa pjesë të trupit si barku, putrat poshtë, ose organet gjenitale.

Së fundi, shpëlajeni tërësisht.

Kur dushi mbaron, largohuni duke qenë se qeni do të shkundet dhe rrezikon t’iu bëjë qullë.




Tërbimi është zbuluar rreth më shumë se 4000 vjet. Tërbimi është një virus që infekton sistemin nervor qendror në gjitarë. Sëmundja është fatale nëse nuk trajtohet, megjithatë, vaksinat efektive janë në dispozicion për të mbrojtur njerëzit dhe kafshët shtëpiake.

Çfarë e shkakton tërbimin?

Virusi nuk mund të rritet, nëse nuk është në brendësi të një qelizë të gjallë. Virusin e tërbimit mund depertoj në trupin tuaj dhe të sulmoj sistemin qendror nervor.

Si mund të barret tërbimi?

Rabiesi bartet përmes kontaktit me pështymë nëse një kafshë e infektuar kafshon një kafshë të painfektuar apo njeriun. Gjithashtu është e mundur, por mjaft raste të rralla, që njerëzit të mund të infektohen permes materialit te kontaminuar nga kafshët e egëra të infektuara, të tilla si pështyma në rastet kur futet direkt në sy, hundë, gojë, apo permes plageve.

Pse duhet të jemi të brengosur për tërbimin e kafshëve të egra?

Tërbimi është një shqetësim serioz për shëndetin publik, në qoftë se nuk trajtohet ajo është gjithmonë fatale. Mishngrënësit e egër sidomos dhelprat janë një rezervuar i tërbimit në Evropë.

Tërbimi në Kosovë?

Të paktën për 30 vitet e fundit në Kosovë nuk është regjistruar ndonjë rast i tërbimit në njerëz. Në tetor 2007, dy rastet e tërbimit të kafshëve të egra (Dhelpra) u raportuan. Deri më sot, mungojnë të dhëna të sigurta të bazuara në një plan të mbikqyrjes kombëtare në lidhje me tërbimin.

Si mund të thuhet nëse një kafshë është e tërbuar?

Testi për të përcaktuar nëse një kafshë është infektuar bëhet përmes testimit të trurit të kafshës . Disa nga shenjat e dukshme të kafshëve të dyshimta mund të përfshijnë simptomat e mëposhtme: sjellje agresive, duke sulmuar pa asnjë arsye, i përgjumur, duke ecur në një rreth, i hutuar, etj. Kafshëve të dyshimta asnjëhere nuk duhet ofruar!

Çfarë duhet të bëjmë në qoftë se jemi të kafshuar nga një kafshë?

Pastrohën plagët tërësisht me sapun dhe ujë si një masë paraprake e ndihmës së parë. Thërrisni mjekut tuaj ose departamentin lokal shëndetësor. Në qoftë se kjo është një kafshe shtëpiake, merrni emrin dhe adresën e pronarit të kafshës. Nëse është rasti me kafshë të egëra kontaktoni departamentin shëndetësor, kontrollin e kafshëve.

Rastet me kafshë të ngordhura?

Nëse gjindet kafsha e ngordhur perdorni dorashka para kontaktit me trupin e kafshës. Në qoftë se testimi është i nevojshëm, vendosni trupin e kafshës në një qese plastike dhe vendoseni në një zonë të ftohtë, larg nga njerëzit dhe kafshët e tjera. Pastroni dhe dezinfektoni zonën ku është gjetur kafsha. Thirrni departamentit tuaj lokal shëndetësor ose inspektorin rajonal veterinar për udhëzime të mëtejshme.

A është ORV karremi i rrezikshëm?

Vaksina në këto karreme nuk mund të shkaktojë rabies dhe ka treguar se ka qenë e sigurt në më shumë se 60 lloje të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë edhe macet dhe qenët.

A mund të infektoheni në kontakt me vaksinën?

Jo, vaksina përmban virus të zbutur (të holluar) por nëse ju vini në kontakt me vaksinën, pastroni zonën e prekur tërësisht me sapun dhe ujë dhe vizitoni autoritetet lokale shëndetësore.

Çfarë ndodh nëse gjej karrem pranë shtëpisë sime?

Është e mirë për të lënë karremin ku e keni gjetur, përveq nëse është në oborrin tuaj, në pemë, apo zona të tjera ku nuk ka gjasa për tu arritur nga dhelpërat. Përdorni dorezat ose masa të tjera mbrojtëse (p.sh. qese plastike) dhe spostoni karremin në një zonë ku kafsha do të ketë më shumë gjasa për të gjetur (konsumuar) atë. Lani duart mirë me sapun dhe ujë pas çdo kontakti me karrem.

Pse duhet të veshim doreza gjate kontaktit (manipulimit) me karrem?

Karrem i pa hapur nuk do të iu dëmtojë aspak, por era e peshkut që mund të merrni është i pakëndshëm për njerëzit. Nëse karremi është dëmtuar dhe lëngu roze (vaksina) është i dukshëm, vendosni dorashka dhe karremin e vendosni me plehrat tuaja të rregullta për shkak se karremi nuk do të jetë më efektiv. Ashtu si me çdo mjet biologjik, lani duart mirë me sapun dhe ujë pas çdo kontakti me karrem.

Çfarë ndodh nëse nuk kam doreza?

Ju mund të përdorni një qese plastike, diçka për të ju mbrojtur nga kontakti i drejtpërdrejtë me karremin dhe mund ta hidhni pas përdorimit. Nëse ju duhet të merrni karremin pa pasur doreza, atëher lani duart mirë me sapun dhe ujë.

Çfarë ndodh nëse fëmija im gjen një karrem?

Era e karremit në përgjithësi parandalon fëmijët për të luajtur apo provuar ato. Nëse fëmija juaj do të ju sjellë një karrem të paprekur, ju mund të vendosni karremin në një zonë me bimësi të dendur; në qoftë se fëmija juaj ju sjell një karrem te hapur , lani lëkurën e ekspozuar dhe kontaktoni institucionin mjekësor për udhëzime të mëtejshme . Lani duart mirë me sapun dhe ujë pas çdo kontakti me një karrem.

Çfarë ndodh nëse qeni ose macja ime konsumon nje karrem?

Kjo vaksinë ka treguar se ka qenë e sigurt në mbi 60 lloje të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë edhe qentë vendas dhe macet. Ushqimi i një numëri të madhë të karremeve mund të shkaktojë crregullim të përkohshëm në stomakut të kafshës suaj, por nuk përbënë ndonjë rrezik afatgjatë shëndetësor. Mos provo të nxjerresh karremin nga goja e qenit tuaj sepse mund të kafshoheni nga qeni. Nëse gjendja e kafshës rëndohet nga konsumimi i karremit, ju lutem kontaktoni veterinerin tuaj.

A mund ta përdor këtë karrem për të vaksinuar qenin ose macen time?

Jo, kjo vaksinë është aprovuar vetëm për përdorim në kafshë të egra. Kafshët tuaja shtëpiake duhet të vaksinohen nga veterineri .

Si vakcinohet një dhelpër duke konsumuar këtë karrem?

Vaksina gjendet në brendësi të një pakoje plastike e cila është e dyllosur nga brenda me ushqim të peshkut në anën e jashtme ose e mbuluar me mbeturinat e ushqimit te peshkut. Kur kafsha e kafshon përmes mbuleses së jashtme, pakoja e vaksinës është shpuar me qëllim të lejimit që kafshët të gëlltitin vaksinën. Sistemi i imunitetit të dhelprës pastaj është i ”mashtruar” duke menduar se kjo ka qenë e ekspozuar ndaj virusit rabies dhe e bën që antitrupat të luftojnë sëmundjen. Këto antitrupa janë ruajtur në sistemin imun të dhelprës dhe e lejon trupin e saj për t'iu përgjigjur shpejtë nëse mund të jetë ekspozuar ndaj kafshimit nga ndonje kafshë e tërbuar.

Sa kohë zgjatë efikasiteti i vaksines ?

Studimet tregojnë se kjo vaksine duhet të ketë efikasitet për një vit ose më shumë.

Si mund ta shpërndani karremin mbi qytetet dhe zonat periferike?

Shpërndarja e vaksinave (karrem) bëhet përmes aeroplanëve në zonat pyjore (malore) ndërsa në zonat urbane dhe periferike bëhet nga AUV dhe APK dhe shpërndarja bëhet kryesisht me dorë. Kjo është bërë me qëllim që shpërndarja të jetë sa më efektive.

Çfarë mund të bëj për të parandaluar tërbimin?

Shmangini të gjitha kontaktet me të gjitha kafshët e egra. Sigurohuni që kafshët tuaja shtëpiake janë të vaksinuara në pajtim me ligjet shtetërore dhe lokale. Raporto te autoritetet lokale çdo kafshë që sillet në mënyrë të dyshimtë.

Si të parandaloj rabiesin në kafshët shtëpiake?

Dergoni qenin apo macen tuaj te veterineri për vaksimin të rregullt.

Nëse vaksina arrin në sytë, gojë apo hundën tonë?

Është e domosdoshme të kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë. Në këtë rast, është procedura sipas rregullave në fuqi sikur në rastin e ekspozim ndaj virusit të tërbimit./Fermaime/




Kruarja, si për pronarin e qenit dhe veterinerin, është problem më i shpeshtë dhe më kompleks që e hasin, prandaj nevojitet një diagnozë e saktë, në bazë të cilës duhet caktuar terapia e duhur.

Në vijim do cekim disa nga shkaktarët e kruarjes.

Pleshtat

Prania e pleshtat është një nga shkaqet më të zakonshme të kruarjes së kafshëve shtëpiake. Është e nevojshme që të mbrohen nga parazitëve gjatë gjithë vitit me disa nga produktet e shumta që janë në treg.

Pickimi pleshtit manifestohet me kruarje të rënda, alopeci (rënia e qimeve) dhe hiperpigmentacion (skuqja e lëkurës) kryesisht në zonat rreth e pasme të bishtit, prapa dhe perineumit. Për këtë arsye është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve, kortikosteroideve, antihistamineve dhe acidet yndyrore esenciale për të mbajtur nën kontroll simptomat.

Infeksionet bakteriale - pyoderma

Infeksionet bakteriale - pyoderma është shkaku tjetër i kruarjes. Kjo ndodh më shpesh për shkak të të ushqyerit të dobët, kushteve johigjienike, alergjisë, parazitëve në lëkurë, sëmundjeve endokrine ose për shkak të përdorimit të zgjatur të kortikosteroideve. Infeksionet bakteriale të lëkurës zakonisht karakterizohen nga prania e pustulave dhe kruarja deri tek humbja e qimeve. Trajtimi kërkon aplikimin e antibiotikëve dhe shampove mjekësor.

Pezmatim i lëkurës - Malassezia pachydermatis

Malassezia pachydermatis është pezmatim i lëkurës që është i lidhur me praninë e kërpudhës M. pachydermatis, duke shkaktuar kruarje të rënda, eritemë, hiperpigmentacion, alopeci dhe vetëdëmtim. Shpesh zhvillimi i këtyre kërpudhave në numër të vogël në lëkurë, shkakton disa sëmundje të tjera. Ky pezmatim duhet trajtuar me shampon me substanca antimikotike aktive ose në mënyrë sistematike me antimikotikë.

Alergjia

Njëri nga shkaktarët më të shpeshtë të kruarjes është alergjia. Alergjia në qentë, ndryshe nga njerëzit, nuk shfaq simptoma respiratore, por ndryshime në lëkurë.

Dermatiti atopik

Pothuajse 10% e qenve vuajnë nga dermatiti atopik, i cili mund të jetë i trashëguar dhe ka një tendencë që të formojë antitrupa ndaj alergjenëve të ndryshëm nga mjedisi. Racat tek të cilat hasim më së shpeshti dermatitin atopik janë Labrador, Golden Retriever, Terieri Skoces, West Highland White Terrier, Seteri Anglez dhe Irlandez, Bulldogu Anglez, Shar-Pei, Pastori Gjerman, Shih Tzu.

Simptomat e para klinike shfaqen mes moshës 6 muaj deri në 3 vjet.

Dallojmë dy karaktere të këtij dermatiti: sezonal, sikurse ndjeshmëria ndaj polenit dhe, ai vjetor, me ndjeshmëri tek merimangat, pluhuri i shtëpisë, etj.

Simptomat përfshijnë kruarje me intensitet të ndryshëm, skuqje të lëkurës në veshë, përgjatë barkut, perineumit ose në fytyrë. Si shfaqje mund të përmendim infektimet nga bakteret dhe kërpudhat. Diagnostikohet në bazë të simptomave klinike, testit intradermal, testeve aerologjike, etj.

Mjekimi përfshin shmangien e alergjenëve përgjegjës; terapinë simptomatike dhe imunoterapinë.

Ushqim alergjik

Alergjia ndaj ushqimit manifestohet si një sëmundje e lëkurës. Simptomat në kafshët ndryshojnë gjerësisht, nga kruarje me intensitet të ndryshëm deri tek infeksionet e veshit, pezmatimi i qepallave, ndryshimet e lëkurës, etj.

Qeni është zakonisht alergjik ndaj përbërësve të ushqimit si, mishi i pulës, mishi i viçit, produkteve të qumështit, grurit, misrit, etj. Nuk ka asnjë predispozitë race, por disa autorë, megjithatë, sugjerojnë se disa racave janë në rrezik më të madh (Labrador Retriever, West Highland White Terrier dhe Kokeri Spanjol). Sëmundja mund të shfaqet më së shpeshti në mes të moshës prej 2 muaj deri në 4 vjet.

Veterineri juaj ndoshta do të rekomandojë ushqim adekuat për të provuar praninë e alergji ushqimore. Mishi i qengjit, orizi, peshku, janë vetëm disa nga ushqimet më pak alergjike.

Testi ndaj ushqimeve të dyshuara mund të bëhet duke iu dhënë kafshëve ushqimin dhe pastaj të bëhet një pauzë prej 14 ditëve. Pas kësaj periudhe ju jepet prapë dhe shikohet se a shfaqen shenjat e alergjisë.

Kontakti me alergjenët

Kontakti me alergjenët e ndryshëm, shkaktojnë sëmundje të lëkurës. Këmbët dhe pjesa e barkut janë pjesët që më së shpeshti preken kurse simptomat janë në formë të fshikëzave, flluskave me qelb ose skuqja. Diagnoza bazohet në shenjat klinike, historinë dhe eliminimin e shkaqeve të tjera.

Për trajtim shpesh është e mjaftueshme për të hequr shkakun kryesor të alergjive, shkruan Telegrafi.

Dermatozat psikogjene

Dermatoza psikogjene vjen si pasojë e vetëdëmtimit, si rezultat i çrregullimeve të sjelljes së kafshës. Ajo manifestohet më shpesh si një alopecia lokale, e kufizuar dhe hiperpigmentacion në këmbët e para. Qentë e punës janë të predispozuar për këtë dermatozë pasi që janë gjithmonë nën detyrë dhe nga mërzia, ata të fillojnë të lëpijnë zonat e caktuara të trupit.

Së fundi, porosia jonë: ‘kafshën mbajeni për qejf, kurse për shëndetin e kafshës suaj - kujdesimi ne” .

Ambulanca Veterinere “FISI Faunes”
DVM Fisnik Vejsa / DVM Kreshnik Vejsa
045 789 000 / 049 559 450
Te Qafa (afer City Market), Prishtinë
https://www.facebook.com/FisiFaunes





Kaprolli, lepuri dhe derri i egër mbeten cak i gjahtarëve ilegalë, të cilët po i dërgojnë këto kafshë dhe shumë të tjera drejt zhdukjes. Me ndihmën e reflektorëve ndriçues këta gjahtarë pothuajse çdo natë i sulmojnë dhe i vrasin këto kafshë në tërë territorin e Kosovës pa përfillur asnjë rregull gjuetie, duke e çuar fondin e tyre në minimum, ani pse disa janë edhe të mbrojtura me ligj.


Edhe institucionet përgjegjëse për ruajtjen e tyre flasin për një situatë shqetësuese për shkak të gjuetisë së pakontrolluar. Megjithatë nuk janë në gjendje të tregojnë me shifra se sa është numri i kafshëve që kanë pësuar nga gjuetia e egër dhe se sa është fondi aktual i tyre. Ali Pllana, kryetar i shoqatës së gjuetisë "Fazani", që menaxhon vendgjuetinë "Prishtinë 2", ka bërë të ditur se fondi i kafshëve të egra në Kosovë ka rënë për së tepërmi. Madje, sipas tij, shumë prej tyre rrezikojnë të zhduken, pikërisht nga gjuetia e egër.


Pllana u vë fajin kryesor pikërisht atyre të cilët janë të përgjegjës për mbrojtur ato. Shoqatat që merren me menaxhimin e vendeve për gjueti thotë se nuk janë duke e kryer obligimin e tyre si duhet duke ua mundësuar "qytetarëve të pandërgjegjshëm" që të gjuajnë kafshë në mënyrë joligjore. "Mjerisht ata që duhet ruajnë, ata po i asgjësojnë. Nëpër shoqata kanë ardhur njerëz që nuk kanë lidhje me gjueti dhe që nuk i mbrojnë kafshët. Pastaj shumica e tyre kanë status të padefinuar dhe nuk e kryejnë punën siç duhet, shton ai.


Njëkohësisht ka vlerësuar se punë më të madhe në drejtim të mbrojtjes së kafshëve të egra duhet të bëjnë edhe institucionet e rendit, si dhe inspektorati përkatës. "Kosova e ka mbërri atë nivel që e ka pasur Shqipëria, që do të thotë gjuajtje 365 ditë në vit në mënyrën më të egër me të gjitha llojet e armëve", ka thënë ai, duke përshkruar se si çdo natë gjuajtësit ilegalë i vrasin këto kafshë në momentin kur ato janë të qeta apo duke u ushqyer.


Pllana ka bërë të ditur se menjëherë pas luftës, Kosova ka qenë shumë e pasur me kafshë të egra. Megjithatë që nga ajo periudhë e deri më tani tregtia me këto kafshë thotë të ketë sjell një situatë ku ato rrezikojnë të zhduken. Sidomos kaprolli, lepuri dhe derri i egër, njofton se janë më të rrezikuarit aktualisht. Përderisa kaprolli tregon se mund të gjuhet vetëm në raste të rralla me leje speciale, rrëqebulli dhe gjeli i egër thotë se nuk mund të gjuhet në asnjë rast. Edhe një numër i madh i kafshëve e shpezëve të tjera të egra thotë se është ndaluar që për një periudhë të gjatë të mos gjuhen derisa të rritet fondi i tyre. Por këto ndalesa, sipas tij, nuk përfillen nga shumica e gjahtarëve. Sa i përket zonës të cilën e menaxhon shoqata e tij, Pllana thotë të ketë përmirësim të situatës.


"Ne kemi 10 kamera që i kemi vendosur gjatë vitit që shkoi në 10 lokacione ku ka numër më të madh të egërsirave dhe shumë shpejt do t'i shikojmë xhirimet që kanë kapur ato përgjatë dy javëve. Nëse arrijmë të identifikojmë persona që janë marrë me gjueti ilegale atëherë, ato do të jenë fakte për ne të cilat do dorëzojmë tek organet e rendit", ka bërë të ditur ai.


Pllana më tej ka kritikuar edhe nivelet komunale në pothuajse tërë territorin e Kosovës që ende nuk kanë definuar vendet e gjuetisë. "Ne në Prishtinë i kemi të caktuara vend gjueti, mirëpo shumica e komunave nuk i kanë pasi që vetë niveli komunal e neglizhon një gjë të tillë", plotëson ai. Bajram Batusha, drejtues i Divizionit për politika menaxhuese me kafshë të egra, gjueti dhe ekoturizëm, në Ministrinë e Bujqësisë, ka pranuar se nuk po zbatohet Ligji për gjuetinë dhe udhëzimet administrative që lidhen me të. Edhe pse përmes udhëzimeve tregon se përcaktohen sezoni dhe kalendari i gjuetisë por edhe llojet e kafshëve që janë: ato të egrat tradicionale për gjueti, të rralla dhe të rrezikuara si dhe ato përherë të mbrojtura, që të gjitha këto vriten në mënyrë të pakontrolluar./KohaDitore/FermaIme/


Foto: koshere bletësh në çatinë e ndërtesës së operas, Paris
Rritja e bletëve është një mundësi sigurimi të ardhurash jo vetëm në fshat por dhe në qytet.
Kosheret e bletëve mund të vendosen në çatitë e shtëpive, pallateve; në oborret e shtëpive private, madje dhe në ballkon. Bletët e sigurojnë nektarin dhe polenin nga bimët e qytetit: pemët në trotuare, parqe; nga bimët zbukuruese në lulishte etj. Kujdesi ndaj bletës kërkon pak kohë gjatë vitit ndërkohë që një koshere moderne bletësh siguron mesatarisht 20 kg mjalt në vit.
Bletaria urbane është duke u përhapur në shumë shtete të botës. Shembujt janë të shumtë: Shtëpia e Bardhë, Bashkia e Çikagos, pallati i vjetër i Operas në Paris janë disa nga ndërtesat e dëgjuara ku ka koshere bletësh.
Në disa qytete si Londër, Toronto, Teksas etj. janë krijuar shoqata bletarësh urbanë të cilat promovojnë interesat e anëtarëve të tyre.
Bletët e rritura në qytete kanë disa avantazhe ndaj bletëve rurale: ato ushqehen me nektarin dhe polenin e një shumëllojshmërie lulesh dhe janë më pak të ekspozuara ndaj pesticideve. Prandaj jo rrallë ndodh që prodhimtaria e një koshereje në qytet të jetë edhe më e lartë se e një koshereje në fshat. Gjithashtu sëmundja e sindromit të kolapsit të kolonisë e përhapur së fundmi në bletë dhe që ka shkaktuar rënie drastike të numrit të bletëve në zonat rurale në Europë e më tej duket se prek më pak kolonitë e bletëve në qytete.
Veçoritë e bletarisë urbanë ndaj asaj rurale:
  • Bletët zakonisht fluturojnë në vijë të drejtë drejt zgjoit, prandaj në zona të populluara përpara zgjoit duhet të ketë një gardh a mur rreth 2 m, që njerëzit mos të gjinden në rrugën e fluturimit të bletëve.
  • Nëse kosheret do të mbahen në tarracë nuk ka interes të mbahen më lart se në katin e 6-të.
  • Që roitë natyrale që mund të shkëputen nga kolonia të mos bezdisin fqinjët, pranë kosheres mirë është të mbahen si karem koshere të vjetra bosh.
  • Bleta e gjen ushqimin në një rreze ~2 km rreth kosheres, prandaj duhet patur parasysh shkalla e gjelbërimit të qytetit në këtë rreze kur vendoset të mbahen koshere bletësh. Qytetet kanë shumëllojshmëi bimësh, kapaciteti i të cilave për nektar dhe pjalm ndryshon. Nga bimët mjaltëse dhe pjalmdhënëse që gjenden dhe në qytete përmendim: akacia (një familje blete mund të mbledhë deri në 8 kg mjalt nga një dru i rritur akacieje), gështenja (një ha me gështenja jep deri në 30-120 kg mjalt, gjithashtu ka shumë pjalm dhe i forcon bletët); tërfili (një ha me tërfil jep ~50 kg mjalt); jonxha (një ha i vaditur=220-270 kg mjalt; 1 ha i pavaditur=25-30 kg); mimoza (pjalmdhënëse), shelgu (mjaltdhënëse dhe pjalmëse); plepi (pjalmdhënëse), pisha (pjalmdhënëse); ligustra (pjalmdhënëse, pak nektar) etj.
Ka bimë mjaltëse të cilat mund të mbillen posaçërisht për bletët, këtu përmendim faceliën (Phacelia tanacetifolia benth). Nga një hektar i mbjellë me facelia mund të merret 500-1000 kg mjalt dhe 300-400 kg farë.

Foto: Bima mjaltëse facelia
Facelia mund të jetë me shumë interes të mbillet në kuadër të bujqësisë urbane sepse ndryshe nga pemët frutore dhe perimet pak mundësi ka të përvetësohet nga të panjohur.
Nëse dëshironi të rrisni bletë mund t’ju vijë në ndihmë forumi i parë shqiptar mbi bletarinë, nënforumi mbi bletarinë, si dhe libri “Bleta” i Doc. Qenan Nuri.
Në anglisht ka shumë libra për rritjen e bletëve. Mund të lexoni:
Një koloni bletësh shitet me gjithë koshere zakonisht dhe kushton ~20,000 lek (të reja).
Rritja e bletëve në kosha
Në vijim mund të gjeni një informacion të përgjithshëm mbi bletët dhe rritjen e saj sipas metodës së vjetër, në koshere prej koshi. Unë personalisht nuk mbaj bletë, informacioni është mbledhur nga libra, video, artikuj interneti, biseda etj..
Familja e bletës

Në foto: nga e majta në të djathtë: bleta punëtore, bleta mashkull, bleta mëmë
Bleta jeton vetëm në familje. Çdo familje përbëhet nga disa dhjetra mijëra bletë punëtore,disa qindra ose mijra meshkuj dhe nga një mëmë (mbretëreshë). Asnjë bletë nuk mund të jetojë jashtë familjes.
Bleta mbretëreshë është e vetmja bletë e familjes që mund të pjellë. Bletët punëtore kryejnë gjithë punët e nevojshme për jetën e kolonisë: mbledhin nektarin, polenin, ndërtojnë hojet, freskojnë/ngrohin/pastrojnë kosheren etj. Bletët punëtore jetojnë vetëm disa javë në verë dhe deri në disa muaj në dimër.
Bletë mashkull në koshere ka qindra deri në mijra në verë kurse në vjeshtë dhe dimër nuk ka, sepse vriten nga bletët punëtore. Këta shërbejnë vetëm për pllenimin e bletës mëmë dhe nuk ndihmojnë në punët e kolonisë.
Kolonia e bletës jeton në vende të mbrojtura nga kushtet atmosferike. Kolonia e egër strehohet në të çara shkëmbi, në zgavrën e një peme etj. Ajo është një grumbull bletësh me diametër ~30 cm, e tkurrur në dimër por vëllimi i së cilës rritet në verë për së gjati. Prandaj shpesh zgjojet e bletëve kanë formë cilindrike ose të afërt me formë cilindrike, me diametër të brendshëm ~30 cm.
Bleta krijon në folenë e saj një klimë me temperaturë të qendrueshme, ajo e ngroh folenë në dimër dhe e freskon në verë.
Hojet bleta i fikson në majën e folesë dhe në muret anësore, kurse në pjesën e poshtme këto varen të lira.

Foto: Koloni e egër bletësh. Fletët e varura janë hoje.
Në qelizat e hojeve bletët depozitojnë mjaltin dhe larvat: zakonisht qelizat me mjalt janë në pjesën e sipërme të zgjoit kurse qelizat me larva janë në pjesën e poshtme të zgjoit.

Foto: Qeliza me vezë blete

Foto: Qeliza me bletë krizalidë
Jeta e bletëve gjatë vitit:
Gjatë vitit në jetën e kolonisë së bletës ka dy periudha kryesore: periudha e veprimtarisë aktive kur familja mbledh dhe përpunon ushqimin, krijon rezervat, shumohet (pranverë,verë) dhe periudha e qetësisë (vjeshtë,dimër) kur bleta nuk shumohet, nuk mbledh nektar/polen dhe jeton me rezervat ushqimore të grumbulluara gjatë periudhës aktive.
Në zonën e ulët në Shqipëri mëmat e fillojnë pjelljen nga mezi i janarit-fillimi i shkurtit. Në 3-4 javët e para të periudhës aktive bletët e vjetra të dala nga dimri ngordhin dhe zëvendësohen me të reja. Me ngrohjen e kohës dhe me shtimin e nektarit/pjalmit të sjellë në zgjua mëmat e shtojnë pjelljen derisa në muajin maj-qershor pjellin deri në 2000 vezë në 24 orë.
Në prill-maj, kurse në malësi në maj-qershor ndodh fenomeni i roitjes (shtimit) të kolonisë. Mëma e vjetër largohet nga zgjoi së bashku me një pjesë të bletëve punëtore dhe disa meshkuj për të krijuar familje më vete.
Libri “Bleta” e përshkruan kështu roitjen natyrale të bletëve “Në ditën e daljes së roit, që në mëngjez, në zgjua vihet re një gjallëri jo e zakonshme. Bletët, pa ndonjë rregull të caktuar, shkojnë sa para mbrapa nëpër verandën e zgjoit, nëpër muret e tij, fluturojnë dhe pas pak kthehen përsëri në zgjua. Pastaj midis orëve 10-14 bletët dalin rreshta-rreshta nga zgjoi duke fluturuar rreth e qark tij me një zhurmë karakteristike që është krejt e ndryshme nga zhurma e zakonshme e bletëve në park. Roi i parë mblidhet zakonisht në ndonjë vend rreth parkut të bletëve, mbi ndonjë degë peme etj.E gjithë miza varet njëra pas tjetrës në formën e një vile rrushi. Roi i mbledhur në ndonjë dege peme po të futet në ndonjë zgjua dhe ky zgjua të vendoset në çfarëdo vendi, qoftë edhe afër zgjoit nga ka dalë, bletët mësohen shpejt të hyjnë dhe të dalin në vendin e ri dhe nuk kthehen më në zgjuan e vjetër. Duhet patur kujdes që roi i mbledhur në degën e pemës ose në ndonjë vend tjetër, të hidhet menjëherë në zgjua, ndryshe pas pak kohe, ai fluturon përsëri dhe s’dihet ku mblidhet.
Kur bleta përgatitet për roitje, ajo krijon disa qeliza mëmash.2-3 ditë pas daljes së roit të parë, në zgjuan që roiti del mëma e re, e cila pasi forcohet fillon të kontrollojë të gjtha hojet, për të gjetur qelizat e mëmave, të cilat përpiqet ti grisë, duke vrarë në to mëmat, qofshin këto në fazën e nimfës ose të insektit të rritur. Në qoftë se familjes së bletës i ka kaluar ethja e roitjes, bletët nuk e pengojnë mëmën ti vrasë ato, por përkundrazi marrin pjesë edhe vetë në zhdukjen e tyre. Në rast se në familje ethja e roitjes vazhdon, bletët nuk e lejojnë mëmën, që ti shkatërrojë qelizat e mëmave, por përgatiten të lëshojnë roin e dytë. Roi i dytë del gjithmonë me mëmën e re të pafekonduar. Kur koha është e mvrejtur, me shi dhe pengon daljen e tij për disa ditë me rradhë, me këtë roi mund të fluturojnë njëkohësisht disa mëma së bashku, të cilat dalin prej qelizave në çastin e daljes së roit. Pasi mblidhen në ndonjë vend (degë peme etj.), bletët mbysin mëmat e tepërta dhe lënë vetëm një.”
Kosherja mund të lëshojë dhe roi të tretë, katërt ose të pestë. Pas ndërprerjes së ethes së roitjes bletët grisin qelizat e mëmave; mëma e re e mbetur në zgjua pasi arrin pjekurinë seksuale fekondohet dhe fillon të pjellë vezë.

Foto: Roi natyrale
Informacion për sjelljen e bletës mund të lexoni dhe në http://sq.wikipedia.org/wiki/Bleta.
Kosheret
Kosheret e përdorura për rritjen e bletës zakonisht ndërtohen me materiale termoizoluese si dërrasë, baltë, thupra & kashtë, plastikë etj.

Foto: Park bletwsh me koshere koshi
Bletaria në kosha është praktikuar gjerësisht në mesjetë dhe praktikohet ende në Hollandë, Poloni, vende të Afrikës etj.
Në Shqipëri në vitin 1938 kishte 48,299 koshere nga të cilat vetëm 480 ishin moderne, pjesa tjetër ishin koshere primitive si kosha, trungje etj.
Bletarët europianë i rrisin bletët pothuajse vetëm në koshere moderne prej druri, me korniza të lëvizshme (si Langstroth) ose jo (si kosherja Warre). Kosheret e koshit duke qenë me kosto më të ulët investimi dhe mirëmbajtjeje duken më të përshtatshme për tu përdorur nga familjet e varfra ose në kohë krize kur gjetja e pajisjeve dhe materialeve është më e vështirë. Vështirësia kryesore në përdorimin e tyre në Shqipëri është që aktualisht, me sa kam dijeni, nuk prodhohen të tilla.
Kosheret kosh (primitive) shpesh bëhen prej prej thupre/kashte dhe në formë cilindrike për disa arësye:
  • Materiali i thuprës/kashtës është termoizolues, mban ngrohtë në dimër dhe freskët në verë.
  • Kosheret në formë cilindrike e ruajnë më mirë ngrohtësinë në dimër. Kosherja mund të bëhet më me lehtësi cilindrike kur është prej kashte.
  • Në të kaluarën thupra ishte material ndërtimi që gjendej me bollëk dhe punohej lehtë.
Kurse në kosheret prej dërrase hojet inspektohen më me lehtësi.
Videot më poshtë tregojnë punën në një fermë bletësh me koshere prej koshi:
Heathland Beekeeping – 1 – Spring Work in a Heather Skep Apiary

Heathland Beekeeping – 2 – Preparations for the Swarming Period in a Heather Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 3 – Work in a Heather Skep Apiary during the Prime Swarming Period
Heathland Beekeeping – 4 – Work in a Heather Skep Apiary during the Cast Swarming Period
Heathland Beekeeping – 5 – Summer Work during the Heather Blossom in a Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 6 – Autumn Work in a Heather Skep Apiary
Heathland Beekeeping – 7 – Harvest of Heather Honey in a Skep Apiary
Si ndërtohet kosherja prej koshi
Këtu mund të shikoni një mënyrë të thurjes së kosheres prej koshi. Kurse këtu mund të lexoni shpjegime të hollësishme mbi thurjen e koshereve prej thupre të stilit anglez.

Në foto: Një model koshereje prej koshi, siç bëhet në Gjermani
Kosherja zakonisht ka diametër ~30 cm, vëllim ~30 litra. Në majë mund të jetë e sheshtë ose konike. Kur maja është e sheshtë kosherja mund të qëndrojë në këmbë dhe me kokë poshtë, kjo lehtëson përdorimin gjatë transportit dhe kur mblidhen roi. Hyrja e bletëve në koshere mund të bëhet në pjesën e sipërme, që kosheres të mund ti vihet korpus shtesë kur familja e bletës zgjerohet shumë. Hyrja mund të bëhet dhe anash. Hyrja bëhet me përmasa 10 cm*2.5 cm. Ose nuk bëhet hyrje, por në dërrasën ku do mbështetet kosherja bëhet një kanal për hyrjen e bletëve.
Kosheres i kalohen 4-6 shufra horizontalisht, 2-3 lart, 2-3 më poshtë. Këto shërbejnë për fiksimin më të mirë të hojeve. Shufrat e poshtme kalohen të paktën 10 cm mbi buzën e kosheres, sepse nëse janë shumë poshtë bletët mund të mos ti ndërtojnë hojet rreth saj.
Bletët i përdorin hapësirat midis shufrave dhe hojeve për të shkurtuar rrugë brenda zgjoit.
Hoji orientues
Që bletët ti ndërtojnë hojet pingul me shufrat fiksuese, në tavanin e koshit ngulet një copë hoj i vjetër, ~5 cm*5 cm. Copa e hojit ngjitet pas një dërrase dhe bashkë ngulen me gozhdë në tavanin e kosheres.
Platforma e ndenjes dhe ajo e fluturimit: Kosherja vihet mbi një dërrasë që është të paktën 3 cm më e gjerë se kosherja.

Foto: Duke mbledhur roi (koloni blete në kërkim strehe të re) me koshere kosh. Kosherja kosh në foto ka 4 shufra hekuri, 2 lart, dy më poshtë, të cilat ndihmojnë në fiksimin e hojeve.
Kosheret duhen mbrojtur nga dielli në verë sepse nga nxehtësia e madhe u shkrin dylli, si dhe nga shiu, si në dimër dhe në verë.
Në librin e vjetër “Handy book of bees” autori tregon se në parkun e tyre përdornin lesh të dërstiluar për të veshur kosheret dhe ruajtur nga shiu, kuse për ti ruajtur nga nxehtësia midis këtij dhe kosheres shtonin kashtë e cila është termoizoluese e mirë.

Foto: Koshere koshi me dy korpuse. Kjo bën të mundur që kolonia e bletëve të mos shkatërrohet gjatë mbledhjes së mjaltit.

Foto: Koshere koshi e lyer me bajga lope, rërë dhe hi. Një koshere e tillë dekorative gjendet dhe në një dyqan bletësh në sheshin 21 Dhjetori, Tiranë.
Në vendet e nxehta për ti mbrojtur nga të nxehtit kosheret e koshit i mbulojnë me një shtresë të trashë kashte. Ose, në një version koshereje, bëhen dy kosha njëri më i vogël se tjetri, ku më i vogli futet brenda më të madhit dhe hapësira bosh midis tyre mbushet me kashtë, pastaj koshat lyhen me përzierjen bajga lope-baltë argjile për të mbyllur vrimat.
Kosherja lyhet me bajga lope të përziera me baltë dhe kashtë të copëtuar për te pasur termoizolim më të mirë, për mbrojtje më të mirë nga moti i keq si dhe për ta mbrojtur kashtën nga brejtësit, qukapikë etj.

Foto: Koshere bletësh prej thupre në strehë

Foto: strehe kashte mbi koshere koshi. Shërben për mbrojtjen nga shiu

Kosheret primitive bëhen dhe prej balte, rrogozi të mbledhur etj.

Foto: koshere bletësh prej balte
Koshat vihen mbi platforma që të mbahen larg lagështirës së tokës. Platformat zakonisht bëhen prej druri, sepse guri i mban ftohtë bletët. Një kosh tipikisht mban 6-8 hoje.
Veglat e punës për përdorimin e kosheres:
Kapelja me strehë dhe tyli (maska): Kjo shërben për të ruajtur fytyrën nga pickimet e bletëve. Në pjesën e përparme të një kapele me strehë të gjerë kapet fort pëlhurë tyli. Tyli anash qepet pas një bezeje të bardhë, e cila nga ana e saj është qepur me strehën e kapeles dhe vjen në formë cilindri me fundin të pajisur me llastik ose spango.

Foto: Kapelja me strehë
Tymësja
Kjo shërben për qetësimin e bletëve gjatë punës me to. Mund të punohet dhe pa tymëse, kuptohet rrezikohen më shumë pickime. Që bletët të jenë sa më të qeta duhen shmangur lëvizjet e befta të kosheres si dhe personi që punon me bletët nuk duhet të mbajë erë (parfumi, djerse etj.).
Shumimi i bletëve
Ka dy mënyra kryesore të rritjes së bletëve për sa i përket roitjes: nxitja e roive dhe pengimi i tyre. Në bletarinë me kosha roitë nxiten dhe shfrytëzohen për shtimin e kolonive.
Në këtë lloj bletarie vetëm gjysma e koshereve lihen të dimërohen. Kolonitë e koshereve të tjera bashkohen me kolonitë e koshereve që lihen të dimërojnë, ose vriten duke i zhytur në ujë, ose duke i tymosur me squfur.
Në pranverë koshat bosh mbushen me roitë e koshave me koloni. Sipas një bletërritësi të kësaj metode nga të gjithë koshat prishen kolonitë më të lehta dhe ato më të rënda dhe lihen të dimërojnë kolonitë mesatare. Kolonitë e lehta vriten sepse mund të mos arrijnë të kapërcejnë dimrin për shkak të përmasave të vogla. Kolonitë e rënda vriten sepse mund të mos u mjaftojë mjalti gjatë dimrit, ose thjesht sepse mjalti i siguruar nga këto është më i madh.
Roitja artificiale
Libri i Pettigreë-s, i vitit 1870 e shpjegon kështu roitjen artificiale me kosheret prej koshi:
Nuk kemi interes të presim që bletët të fillojnë roitjen dhe as të humbasim roi. Praktikimi i roitjes artificiale na shpëton nga stresi i pritjes dhe nga humbja e roive.
Roitja artificiale bëhet shumë thjesht: Merrni një koshere me koloni gati për roitje, një koshere bosh dhe një koshere bosh dhe pa shufra, një pëlhurë.Koshat bosh vendosen disa metra larg koshit që do roitet. Kosherja plot tymoset, çohet në vendin ku janë kosheret bosh dhe kthehet përmbys. Kosherja bosh pa shufra vihet grykë më grykë me kosheren plot, vendi i bashkimit mbulohet me pëlhurë që mos të dalin bletët
Kosherja ku do të vendoset roi vihet në platformën e kosheres së vjetër që bletët në fluturim mos të shkojnë në kosheret e tjera. Fillimisht roi kalohet në kosheren pa shufra sepse në të mund të shikohet më lehtë mëma, pastaj roija kalohet në kosheren bosh me shufra.
-Fillojmë të trokasim me duar kosheren e vjetër për rreth 5 minuta. Bletët hutohen dhe largohen për në kosheren bosh. Në 19 nga 20 raste edhe mëma shkon me to. Që të jemi të sigurtë se dhe mëma është larguar e kthejmë koshin me roinë përmbys dhe kërkojmë me sy mëmën. Nëse e dallojmë e çojmë koshin me roinë në platformën e vjetër dhe e shkundim mbi kosheren bosh me shufra. Ndërkohë kosherja e vjetër është e mbuluar me pëlhurë.”
Si ta kuptojmë se kolonia është rritur dhe është gati për roitje?
Kur tymoset kosherja nëse bletët fluturojnë lart midis hojeve dhe kur ngrihet koshi ka vetëm pak bletë të mbetura në platformë, atëhere kolonia nuk është gati për roitje.
Kur kolonia është gati për roitje bletët kur tymosen largohen nga dera por jo sipër drejt hojeve sepse këto janë plot. Kur ngrihet koshi në platformë mbetet një unazë bletësh i trashë sa kyçi i dorës. Kjo unazë bletësh fillon të endet nëpër buzët e platformës dhe kur rivendosim koshin shumë bletë mbeten jashtë. Ky testim duhet bërë kur të gjitha bletët janë në shtëpi. Roitja zakonisht bëhet në maj-qershor.
Në roitje një pjesë e bletëve lihet me kosheren e vjetër, mjaftueshëm që të mbulojnë hollë hojet. Nëse shumë bletë largohen me roin disa lugë me bletë kthehen në kosheren e vjetër Nëse me roin janë larguar pakë bletë trokasim prapë kosheren e vjetër dhe bletët e larguara i bashkojmë me roinë.
Që bletët e roisë dhe ato të kolonisë së vjetër të mos përzihen me njëra-tjetrën kosherja e re dhe ajo e vjetër vendosen secila ~1.5 m larg platformës së vjetër, njëra në të majtë, tjetra në të djathtë.
Nëse kosheret janë më afër atëhere mund të pengohet kthimi i bletëve në kosheren e vjetër duke ndryshuar pamjen e kosheres së vjetër për 1-2 ditë pas roitjes. Në platformën e fluturimit mund të vendosen gurë a tulla të thyera për ti ndryshuar pamjen.
Nuk është e domosdoshme që të kërkohet mëma në roi pasi kemi bërë roitjen. Nëse mëma nuk ka ikur me roinë roija do të rikthehet në kosheren e vjetër brenda 1 ore. Shumë-shumë roitjen duhet ta riprovojmë. Rrallë ndodh që mbretëresha nuk largohet me roinë.
Kur bëhet roitja artificiale kosherja e vjetër mbetet pa bletë mëmë. Kur bletët e zbulojnë këtë dhe sigurohen se mëma nuk është më ato fillojnë të përgatisin qeliza mbretërore ku do të vendosen vezë të bletëve të thjeshta punëtore dhe nga do të dalin mëma. Shpesh bletët punëtore vetëm sa ndryshojnë përmasat dhe formën e qelizave të thjeshta dhe i kthejnë ato në qeliza mbretërore.
Bletët nuk dështojnë asnjëherë në rritjen e mbretëreshës nëse në kosheren e vjetër kanë mbetur mjaftueshëm bletë.
Inspektimi i hojeve në koshere koshi :
Nëse thjesht dëshironi të dini se sa mjalt ka koshi ky ngrihet dhe gjykohet pesha e tij.
Nëse është i rëndë por jo sa të mos e mbajmë dot atëhere depozitat e mjaltit në të mjaftojnë për të përballuar dimrin jo shumë të ashpër. Nëse është i lehtë atëhere bletët do të duhet të ushqehen artificialisht për të përballuar dimrin.
Për të inspektuar hojet me larva hoji mund të anohet pak dhe të shikohet.

Foto: Inspektimi i kosheres kosh
Nëse dyshohet për infeksion, hiqen shufrat, hoji pritet në krye dhe hiqet nga zgjoi. Pas inspektimit rikthehet në pozicionin ku ishte, rivendosen shufrat. Bletët e ringjisin hojin. Në vend të gjithë hojit mund të pritet dhe një cep i tij për inspektim. Për sëmundjet e bletëve mund të lexoni këtu.
Ushqyerja artificiale
Kolonia e bletës gjatë dimrit nuk ka kullotë dhe ushqehet me rezervat e mbledhura më parë. Mesatarisht ajo ka nevojë për 8-12 kg mjalt për të kaluar dimrin. Nëse rezervat nuk i mjaftojnë atëhere ushqehet me sherbet sheqeri. Për zgjuajt primitivë libri “Bleta” këshillon: “Për ushqimin e bletëve në zgjoj primitivë duhet të kemi kuti teneqeje të cekëta, që mbushen me sherbet dhe u vihet përsipër nga një dërrasë me brima, që të notojë, ku të qëndrojnë bletët. Kutia me ushqim vendoset ndën zgjuan primitiv, pasi atij i janë “qethur” më parë hojet.””Sherbeti i sheqerit që u jepet bletëve për plotësimin e rezervave ushqimore për dimër duhet të pregatitet nga dy pjesë sheqeri (për nga volumi) dhe një pjesë ujë, kjo bëhet që bletët të mos harxhojnë shumë energji për avullimin e tepricës së lagështirës.”
Produktet e bletëve:
Këtu mund të shikoni si bëhet heqja e hojeve nga koshat.
Libri “Bleta” e shpjegon kështu vjeljen e pjesshme të mjaltit pa vrarë bletët: Tymoset bleta në hyrje dhe koshi kthehet në brinjë që hojet të rrinë thikë, dhe që të mos shtypen bletët. Ndërkaq ajo tymoset lehtë nga njëra anë e trungut dhe me anë të thikës pritet hoji i anës me kujdes që të mos shtypen mizat. Kështu vazhdohet të pritet edhe hoji i dytë dhe në rast se ka akoma kullotë, atëhere mund të hiqet dhe një ose maksimumi dy hoje nga ana tjetër e koshit.
Hojet mblidhen pasi bletët të kenë vulosur qelizat e sipërme të hojeve së paku në ¼-1/5 e sipërfaqes së hojit. Nëse mjalti nuk është i vulosur ai ka shumë lagështirë dhe thartohet shpejt. Lagështira mund të largohet dhe në mënyrë artificiale duke e hedhur mjaltin në enë me grykë të gjera të cilat vendosen në vende të ajrosura dhe të mbrojtura nga bletët dhe insekte të tjera.
Mjalti në sasi të vogla mbahet në enë qelqi ose balte të llustruara nga brenda. Kurse për sasi të mëdha mjalti janë të mira fuçitë e drurit. Fuçitë e drurit që të mos pijnë shumë mjalt vishen nga brenda me një shtresë dylli. Nuk përdoret dru rrëshinoz sepse mjalti merr erën e rrëshirës.
Mjalti mund të konsumohet siç është në hoje, mund të

Foto: Mjalti në hoje
shtrydhet nga hojet duke e futur në pëlhurë dhe shtrydhur, ose, mund të presohet me presë. Ka mjalt kaq të trashë sa mund të nxirret vetëm duke e presuar. Ose thasi prej pëlhure i mbushur me copat e vogla të hojeve vihet mbi zjarr a në diell (në furrë me energji diellore?) dhe mjalti duke shkrirë rrjedh në enë.
Pëlhura pas shtrydhjes ose shkrirjes futet në ujë të nxehtë për të shkrirë mjaltin e ngelur në të dhe me tretësirën prodhohet vera e mjaltit. Vera zakonisht aromatizohej me erëza për të fshehur aromat e pakëndshme nga mbeturinat e hojeve.
Në copat e ngelura pas shtrydhjes ose shkrirjes së mjaltit ka dyll. Për të siguruar dyllin në kohët e vjetra thasi lidhej me gurë që të rëndohej, zhytej në enë me ujë. Kjo vihej në zjarr. Nga nxehtësia dylli shkrinte dhe dilte në sipërfaqe të ujit prej nga mblidhej në një thes me pëlhurë të rrallë ose në kullesë dhe lihej të rridhte në një enë tjetër. Thesi shërbente për të kulluar papastërtitë. Dylli mund të kullohet për një herë të dytë duke e vënë të ziejë në ujë dhe mbledhur prapë në thes pëlhure të rrallë.
Për shkrirjen e dyllit në stinën e ngrohtë mund të përdoret dhe furra me energji diellore (ndërtimin e së cilës e kemi përshkruar në një artikull tjetër) ose dyllëshkrirësja e përshkruar në librin “Bleta”: “Dyllëshkrirësja është një arkë dërrase e gjatë 65 cm, e gjërë 35 cm, me murin e përparmë 10 cm të lartë, të pasmin 35 cm. Përbrenda saj është vendosur një llamarinë e xinguar, e rrudhosur, fundi i së cilës bie mbi një kuti teneqeje. Nga sipër arka është e pajisur me një kornizë që ka dy xhama me distancë 10-12 mm njëri nga tjetri. Copërat e dyllit thërrmohen dhe vendosen mbi llamarinën. Dyllëshkrirsja vendoset në diell, rrezet e të cilit nëpërmjet xhamit shkrijnë copëzat e dyllit dhe dylli i shkrirë mblidhet në kutinë e teneqesë që ndodhet në fund të llamarinës. Gjatë ditës dyllëshkrirësja herë pas here rrotullohet në mënyrë që rrezet e diellit të bien perpendikular mbi xham.”
Një produkt tjetër i bletëve është propolisi, një substancë rrëshinore të cilën bletët e përdorin për të mbyllur boshllëqet e vogla në muret e kosheres. Propolisi ka veti antibakteriale prandaj përdoret në mjekësinë popullore kundër infeksioneve si psh. ato të lëkurës.
Burime të tjera:
http://www.beedata.com/data2/skeps.html
http://ag.udel.edu/enwc/faculty/dmcaron/Apiology/Chapter12.htm
http://www.reshafim.org.il/ad/egypt/timelines/topics/beekeeping.htm
http://teca.fao.org/es/read/7289
http://teca.fao.org/sites/default/files/technology_files/Construction%20of%20Kamara%20Basket%20Hive%20II.pdf
http://www.biobees.com/forum/viewtopic.php?t=4438
http://www.martinatnewton.com/page8.htm
http://en.wikipedia.org/wiki/Heath_beekeeping
http://ag.udel.edu/enwc/faculty/dmcaron/Apiology/Chapter12.htm
http://beesfordevelopment.org/portal/print.php?id=1280
http://homepage.mac.com/mreddygbr/skepFAQ/skepFAQv2.htm
http://books.google.com/books?id=qP3CF3bE5iwC&pg=PA10&lpg=PA10&dq=press+honey+cloth+bag&source=bl&ots=qZ4dttEGHG&sig=69OklP_sT9KoTB4fgo5OnFahV6k&hl=en&ei=m2WdTuSUNo7DtAbovNy9CQ&sa=X&oi=book_result&ct=result&resnum=3&ved=0CDcQ6AEwAg#v=onepage&q=press%20honey%20cloth%20bag&f=false
http://outdoorplace.org/beekeeping/history3.htm
http://groups.google.com/group/sci.agriculture.beekeeping/browse_thread/thread/7d730af1663adaf4/894853e8ebfe8476?q=skeps#894853e8ebfe8476
http://books.google.com/books?id=QGtBAAAAcAAJ&pg=PA131&lpg=PA131&dq=straw,+wood,+hive,+warm+climate&source=bl&ots=umwVC29MQ0&sig=rI9siIJpyRVM0uw-aEoeJcRrup4&hl=en&ei=-xahTpq4JozVsgbLmY2KAw&sa=X&oi=book_result&ct=result&resnum=1&ved=0CBkQ6AEwAA#v=onepage&q=straw%2C%20wood%2C%20hive%2C%20warm%20climate&f=false


“Gjahtari” i bletëve


Skënder Berisha nga Volljaku i Klinës thotë se “nga zori” e ka zgjedhur një punë të zorshme që të sigurojë ekzistencën për familjen e tij.

Duke jetuar nga ndihmat sociale në mungesë të një vendi pune, ai është shndërruar në një “gjahtar bletësh”, nëpër malet dhe shkëmbinjtë e rrethinës, në kërkim të bletëve që kryesisht jetojnë në male apo atyre që në mungesë përkujdesi ikin nga bletishtet e kultivuara.

“Para 13 vjetësh e nisa këtë punë. Derisa po i ruaja lopët e pashë që një grumbull bletëve u fut në një vrimë shkëmbi prej nga përmes tymit e nxora dhe e futa në kosheren time”, rrëfen ai.

Këtu ka zënë fill “profesioni” i tij i ri, në përpjekje të përmirësimit të standardit të jetës për familjen e tij. Berisha është baba i 9 fëmijëve.

“nëntë fëmijë m’i ka falë Zoti e veç me social jetoj, ja shtypin ende e kam të mbuluar me sellonit”, theksoi ai.
Gjahu pas bletëve tani thotë se i është shndëruar në pasion, i është “futur në gjak”.

“Tash ua kam mësua vendet se ku lëshohen bletët, por edhe ua punoj vet vendet, ua rregulloj paraprakisht”, thotë Berisha.

“Meraku i bletëve është të hynë nëpër gurë, i ndjekin vendet ka kullosat të mira, ku ka ujë, e ndjekin rrezen e diellit”, tregon ai orientimin e bletëve në kërkim të “shtëpisë së re” të tyre.

Por Berisha thotë se ato vendosen kryesisht në shkëmbinj të thellë e të rrezikshëm. “Ka vende edhe mbi 50 metra lartësi që më duhet të hip nëpër shkëmbinj, këmba shkon tuj e dridh”, rrëfen ai.

Në këtë punë thotë se e ka ndihmuar një miku u tij me një dhuratë që i kishte sjellë.

“Këto shkallë i kam që 10 vjet, m’i ka pru një mik prej Gjermanie bakshish, posaçërisht për bletë m’i ka pru, përpara e lshojsha me konop, po konopin e hante korrshi dhe o kan problem mu hedh në greminë. Kjo shkallë më ndihmon shumë, është e garantume, e ka sajllen në mes, janë grepat në të, i kap ata për lisi a për një hekur e ngul dhe lëshohem lirisht me to”, shpjegon Berisha duke i treguar shkallët metalike.

“Rrezikun më të madh e kisha kur para pak vjetësh për të nxjerrë një bletë nga shkëmbi hypa mbi 50 metra në këto shkallë dhe erdhi një helikopter i KFOR-it deri afër më përcillte çka po bëja. Duket se dyshonte se po fsheh armatim e ku ta dish çka. U afrua shumë afër meje dhe fuza e tij përpak sa nuk më rrëzoj, më luhatte fuqia e fuzës, më dridheshin këmbët nga frika dhe derisa e ka pa kosheren e bletës nuk u largu helikopteri”, rrëfen ai një rast të punës së tij të zakonshme.

“Ka ndodhë që e kam thyer dorën gjatë kësaj punë dhe kam pas lëndime të shpeshta nëpër këmbë”, shton ai. Punë nëpër shkëmbinj e male të ndryshme paraqet edhe rrezik nga gjallesat e tjera, kryesisht nga gjarprinjët. Sivjet, sipas tij, të birin 18 vjeçarë ia ka kafshuar gjarpri derisa po e ndihmonte atë në transportin e bletëve që thotë se duhet të bëhet kryesisht në erësirë.

“Pasi ra terri, ishim duke ardh dhe derisa lëshoheshin nëpër kërsha djali e ka qit doren në kërsh dhe po më thotë o babë o thera, duke menduar se i është futur ndonjë therë”, rrëfen ai.

“I thash jo, se në kërsh ska thera, po kur e ndeza shkrepësen i pashë gjurmët e dhembove të gjarprit”, shpjegon Berisha.

“Derisa e kam pru në shtëpi nga malet isha gati të çmendësha nga frika mos po më vdes djali, dora i enjteje shumë, por pasi e solla e dërguam me veturën e një fqinjë në spital dhe shpëtoi”, thotë ai duke bërë me dije se një ineksion për neutralizimin e helmit të gjarprit i ka kushtuar 100 euro dhe po aq per ilaqe të tjera.

“Kështu shkoj fitimi i bletëve që zura e edhe hyra borgj”, shprehet Berisha.

E veçanta e punës së Berishës me bletë që i gjenë në natyrë është se ai nuk përdor as një mjet mbrojtës nga ato, për kundër faktit se egzistojnë mjete të tilla.

“As një lloj maske për mbrojtje nga bletët nuk përdori dhe pothuaj as një herë s’më thumbojnë, ama edhe me më thumbue nuk i ndiej fare ato. Ndodh që kur është vapë e madhe të heq edhe këmishën nga trupi dhe të punoj me to pa asnjë problem”, rrëfen Berisha.

Ai ka bindjen se atë e duan bletët. “Më duan bletët shumë... Ka ndodhë që kam qenë duke kositur dhe ka ardhur grumbulli i bletës e mu ka lidhë në shpindë. Më ka zënë gjumi në mal dhe kur jamë rrotullu e kam pa tufen e bletëve të kapun në shpinë, e kam fut në koshere pa asnjë problem”, rrëfen Berisha.

“Bletët nëpër male hynë deri në 20 metra brenda shkëmbinjëve, ndërkaq unë me tymtore i nxjerrë nga aty, nëse e shoh bletën këtu unë ia marrë drejtimin kah po shkon dhe në atë drejtim pas tre kilometrash diku ndalet”, shpjegon ai.

Numrin më të madh të bletëve thotë se e zë nëpër shkëmbinj tek Ujëvarat e Mirushës dhe në disa shkëmbinj në afërsi të fshatit të tij. Bletarët e rrëthinës e njohin Berishën si furnizues të tyre dhe në kohen e lëshimit të bletëve tek ai për të marrë bletë shkojnë nga të gjitha anët edhe nga Shqipëria. Por Berisha thotë se nuk fiton shumë.

“Më paguajnë 20 deri në 30 euro për një bletë me sëndek të tyre, nganjëherë më japin 100 kilogramë miellë, por unë i furnizojë krejt bletarët e kësaj ane me bletë, ata shumë më duan në sezonin e lëshimit të bletëve”, shprehet Berisha.

Brenda një sezoni ai thotë se ia arrinë t’i zërë rreth 80 deri 90 shoqëri bletësh. Ai i fut ato në koshere klasikë ndërsa kush dëshiron t’i blejë ato nga Berisha duhet t’ia dërgojë atij sëndukun e ri dhe ta marrë bletën për 30 euro që është çmim krejt nën minimalen e vlerës së një blete.

Sivjet në oborin e tij i kishin mbetur edhe rreth 20 shoqëri bletësh pa shitur. Berisha nuk i kultivon vetë bletët, sepse thotë se nuk ka mundësi për shkak të shpenzimeve të mëdha që kërkojnë ato për mbajtje e trajtim, shkruan Koha Ditore.

Nuk nxjerrë as mjaltë nga ato që i zë maleve pasi thotë se fëmijët e tij nuk e hanë mjaltin dhe nuk dëshiron t’i dëmtoj bletët. Aktualisht thotë se i ka 7-8 bletë në shkëmbinjë të ndryshëm që i konsideron të tijat.

“I kam lënë për lëshim ato bletë dhe gjatë dimrit duhet të kujdesem për to”, thotë Berisha.

Nuk ka frikë se dikush mund t’ia marrë ato, ndonëse janë disa kilometra largë shtëpis së tij.

“As naleti nuk mund të hipë në ata kersha”, thotë ai me të qeshur.

Author Name

Contact Form

Name

Email *

Message *

Powered by Blogger.